Një tentativë për atentat që do kryhej nga një grup kriminal ndaj një personi është parandaluar nga policia. Në kërkim janë shpallur 3 anëtarët e grupit kriminal të identifikuar si H. B., 55 vjeç, banues në Kosovë; A. Sh., 30 vjeç, banues në Korçë; E. G., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë, sapo morën informacione se do kryhej vrasja e një personi, identiteti i të cilit nuk dihen, ngritën pika kontrolli me shërbime grackë në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

“Anëtarët e grupit kriminal që kishin planifikuar këtë atentat, në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre, të gjendur nën presionin e Policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara.

Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe informacioneve policore të siguruara, kanë bërë të mundur gjetjen e automjetit, të një motomjeti të vjedhur, me 2 skafandra, të veshjeve të kamuflazhit (xhup meshini), të një arme zjarri automatik me silenciator, të një pistolete me silenciator dhe të një sasie municioni luftarak”, njofton policia.

Në vijim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, nga kontrolli në banesën e njërit prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht në banesën e shtetasit E. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse, dylbi, dorashka dhe lëndë djegëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.