Humbja e thellë në zgjedhjet e 14 majit, ka prodhuar një tjetër dorëheqje në PD e Berishës. Nënkryetari i degës së Shkodrës thotë se opozita ofroi një model të njollosur ndërsa humbësit nuk po mbajnë përgjegjësi. Teksa Sali Berisha refuzon të diskutojë problemet e brendshme të grupimit të demokratëve që drejton, pakënaqësitë në bazë kanë nisur të shprehen përmes largimeve. Humbja e thellë në Shkodër, që çoi në duart e socialistëve edhe kalanë e fundit të opozitës, prodhoi largimin e nënkryetarit të degës atje, Arben Lushaj që thotë se fajtorët e disfatës nuk po mbajnë përgjegjësi.

“Të nderuar demokratë! Me 14 maj zgjedhësit na mohuan vazhdimësinë e drejtimit të bashkisë tonë të dashur. Unë, personalisht, votën e tyre nuk e lexova si një dëshirë për ndryshim por si një dorëzim pa kushte ndaj makinerisë qeveritare. Çdo arsye në vetvete do të përbënte kauzë për qëndresë, po të kishte patur nga ana jonë një model pa njollë, por modeli ynë dështoi sepse nuk i’u përgjigj lartësisë së këtij qyteti e kësaj bashkie. Prita më kot se do mblidheshim si drejtues të lartë të Partisë Demokratike Shkodër për të shqyrtuar shkaqet e kësaj humbje dhe për të marrë masa urgjente për të ringritur strukturat moralisht, pasi humbja nuk duhet të na dërrmojë. Si gjithë vitin që lamë pas edhe sot, ata që kanë detyrën të kërkojnë të falur, minimalisht për strategjinë e gabuar, shtrijnë gishtin në drejtimin e atyre që zbatuan urdhrat e gabuar “të elitës”. Duke dhënë dorëheqjen nga zëvendëskryetar i PD-së, jo për përgjegjësi personale pasi nuk jam pyetur e as dëgjuar, as për postin që e fitova me një garë të fortë, as për eksperiencën e fituar në fushatat e mëparshme, bëj aktin qytetar duke i dërguar mesazh përgjegjësve të vërtetë, të tregohen të ndershëm të paktën tani, duke u dorëhequr e tërhequr për të mos thelluar dëmin tek demokratët. Dorëheqja ime vjen përmes Facebook-ut pasi as tentuam të hyjmë në shtëpinë tonë (selia) e as menduan seriozisht të kemi seli dinjitoze për mbledhje por kafene shokësh. Me hidhërim, shoh sot të vetmen mundësi ringritjeje, hapjen e rrugës krejtësisht modeleve më të mira. Modeleve si në fillimet tona, atëherë kur e bënë Partinë Demokratike të Shqipërisë, dega Shkodër, një lokomotivë të pandalshme elektorale dhe drejtuese 30 vjeçare të bashkisë më të mirë të vendit. Unë do të vazhdoj të jem anëtar i thjeshtë dhe i devotshëm i PD-së dhe në krah demokratëve të ndershëm deri në fitoren tonë”, shkruan Lushaj.

Menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit, dorëheqjen e dha edhe kreu I Rithemelimit në Shënkoll, Luigj Gjoka që bëri përgjegjës të drejtëpërdrejtë për humbjen Sali Berishën. Sipas statutit të PD së Rithemelimit, Berisha duhet të kalojë në votëbesim pas humbjes së thellë në zgjedhjet për bashkitë.

Këtë ai e ka pranuar, por përgjatë mbledhjeve me ekipin drejtues, ka refuzuar diskutimin për reformimin e brendshëm dhe kërkesën që nën zë demokratët thonë, se lidershipi i Rithemelimit duhet të largohet, duke kërkuar të diskutohet vetëm për shkeljet e Edi Ramës në zgjedhje.