Fatos Hoxha

Me rezultatin dërrmues për Berishën, zgjedhjet vendore të 14 majit provuan se shqiptarët nuk e bëjnë më për burrë sundimtarin e opozitës. Oferta e tij nuk gënjen më njeri, sido që të kamuflohet, sado që të ëmbëlsohet.

Gjithsesi, Berisha nuk ka për t’u ndalur në rrugën e tij. Objektivat e tij nuk janë politike dhe rrënimi në zgjedhje nuk mund t’i ndryshojë ato.

Çdo thirrje që i bëhet për të bërë mënjanë, për t’u larguar dhe për t’i hapur rrugën alternativave rigjeneruese për PD-në nuk e tut, sepse PD-ja nuk është qëllim i tij. Qëllim i tij është vetëm ai dhe familja biologjike. Të gjithë të tjerët për të janë veç letër higjienike.

Kjo e vërtetë nuk do ishte zbuluar nga shqiptarët po të mos ishte shpallja e tij non grata, më saktë vendimi i Bashës për t’u distancuar, për të braktisur në fatin e vet udhëheqësin e tij non grata.

Sjellja e Berishës nga ky moment ka qenë e vërtetë e pa maska, e qartë dhe e kuptueshme për këdo.

Nga ky moment, kushdo e ka parë dhe përjetuar atë të ashpër, brutal, të paskrupullt, egoist, cinik, djallëzor, të pamëshirshëm, të panjerëzishëm, të pamoralshëm, të pangopshëm. Si kurrë ndonjëherë më parë.

Nga ky moment Berisha nuk u fsheh më, hodhi xhyben e doli lakuriq.

Nga ky moment edhe ëndërrimtarët edhe naivët edhe të gënjyerit edhe budallenjtë njohën Berishën e vërtetë.

Tani Berisha nuk rren më dot, sado që të gënjejë.

Shpallja non grata, si pikë kthese, nuk vlen më për të zbërthyer Berishën. Ai nuk fsheh më enigma.

Por shpallja non grata, saktësisht vendimi i Bashës për t’u distancuar, për të braktisur në fatin e vet udhëheqësin e tij non grata, vlen shumë për të kuptuar sjelljen e lidershipit të PD-së dhe për të shpjeguar dobinë/dëmin që kjo sjellje i ka shkaktuar PD-së.

Distancimi nga Berisha non grata mund të shpjegohet vetëm në dy mënyra: si akt parimor i ndërmarrë në përputhje me idealet dhe vlerat euro-atlantiste që formojnë shtyllën kurrizore të Partisë, ose si akt hileqar i projektuar dhe i vënë në zbatim për të neutralizuar shpalljen non grata të Berishës, për të anashkaluar presionin e aleatit të madh dhe për të larë duar nga përgjegjësia. Çdo shpjegim tjetër i ndërmjetëm, bazuar në interesa meskine të aktorëve, nuk mund të merret në konsideratë, sepse interesat meskine ose kënaqen duke u shtirur parimor (skenari i parë) ose duke u shfaqur oportunist (skenari i dytë).

Si akt parimor, distancimi nga Berisha nuk mund të ishte veçse ndarja përfundimtare me të, për hir të parimeve e vlerave dhe pa marrë në konsideratë asnjë llogari apo pasojë. Mbrojtja e parimeve ka gjithmonë kosto, por kostoja nuk e zmbraps një forcë politike nga parimet. PD-ja do kishte erozion për shkak të distancimit. Berisha dhe të tijët nuk do iknin kokëulur dhe pa rezistencë. Por ky erozion do sillte pa asnjë mëdyshje energji të re, do pastronte radhët, do motivonte besimtarët, do gjeneronte forca dhe shpresë, do ringrinte alternativën politike.

Distancimi parimor nuk është distancim “për shkak se na e kërkojnë aleatët e mëdhenj”, por është distancim për shkak se Partia dhe Non Grata janë të papajtueshëm me njeri tjetrin. Dizenjimi familjarisht si i korruptuar madhor, si minues i demokracisë dhe si pushtues i gjyqësorit është njollë aq e zezë dhe aq e ndyrë, saqë çdo orë e kaluar në të njejtën llogore politike me Non Gratën nxin dhe ndyn gjithë organizatën, gjithë lidershipin, çdo anëtar të saj.

Distancimi parimor është i vendosur, i kthjellët, pa hezitime, pa mëdyshje, pa vonesa. Distancimi parimor është akt publik solemn dhe gjithëpërfshirës. Distancimi, kur është parimor, u propozohet forumeve, për të bëhet betejë parimore, me debat, kritika dhe transparencë. Vendimet merren me shumica dërrmuese votash dhe pasohen patjetër me akte statutore domethënësë që pengojnë bashkëjetesën me non gratat.

A ishte i tillë distancimi i Bashës i shtatorit 2021? Lexuesit le t’i thërrasin vetë kujtesës për një moment…

Si akt hileqar, distancimi bëhet në emër të parimeve, por parimet nuk mbrohen. Në vend që t’i dalë zot vendimmarrjes dhe të kërkojë mbështetjen e forumeve, lidershipi stërhollon justifikimet për pafuqinë e tij për të “bindur” aleatin e madh, flet për nevojën për t’u nënshtruar, për të “sakrifikuar” Non Gratën për hir të interesit madhor të pushtetit, shpall ndëshkimin, por e motivon atë duke sublimuar Non Gratën, distancimin nuk e bën të plotë, por e bën gjysëm distancim (sa të zgjidhet ky hall dhe të kthehemi siç ishim).

Kur bëhet si akt hileqar, distancimit nuk i dilet zot. Non Grata lejohet t’i kundërvihet aktit, të fitojë terren, të marrë revansh, të përçajë bazën, të shtojë radhët e të gafurret, pa e kundërshtuar, pa bërë as gëk as mëk. Në fund fare, Non Gratës i njihet fakti se qenka shumicë dhe se pa të nuk bëhet dot. Ky eshtë momenti kur celulat e fjetura të Non Gratës brenda radhëve “zgjohen” dhe kërkojnë bashkimin/dorëzimin në emër të interesit elektoral të Partisë. Ky është momenti kur Parimi deklarohet i vdekur klinikisht.

Kur distancimi është hileqar, gjithshka vjen pas këtij momenti është vetëm përshkallëzim. Është përshkallëzim përçarja dhe kundërvënia e udhëheqësve ndaj njeri-tjetrit. Janë përshkallëzim tërheqjet dhe dorëheqjet, dezertimet dhe kapitullimet. Është përshkallëzim refuzimi për të shenjuar territorin, dorëzimi i strukturave dhe selive. Është përshkallëzim refuzimi për të përgatitur Partinë për zgjedhje, dorëzimi i mazhoritarit tek Non Grata dhe asgjësimi i fushatës për proporcionalin. Është përshkallëzim asgjësimi i logos (i peshës së Partisë), kur e ke të pamundur t’a dorëzosh vetë atë, për shkak se dekonspirohesh.

Distancimi hileqar ndjek vetëm një llogjikë: kur Partia dhe Non Grata bëhen të papajtueshëm me njeri-tjetrin, atëherë hileja e do që të sakrifikosh Partinë për të mbajtur gjallë Non Gratën.

Në lidershipin e PD-së, gjatë kësaj periudhe, sjellja e secilit udhëheqës politik ka qenë e matshme nga qëndrimet dhe vendimet personale të secilit prej tyre. Qëndrimet dhe vendimet personale ndajnë parimorët nga hileqarët, jo fjalët dhe dekaratat patetike.

Sjelljen dhe qëndrimet e lidershipit në këto dy vjet i kemi parë. Po kështu kemi parë edhe se si PD-ja ka rrëshqitur pandalshëm drejt kufirit të zhdukjes. Vetëm se lidhjen midis të parës dhe të dytës e bëjmë me shumë vështirësi.

Si sjellja e lidershipit, ashtu dhe derexheja ku është katandisur PD-ja lidhjen e kanë tek mënyra se si u projektua dhe zbatua distancimi nga Non Grata, si distancim hileqar dhe i rrejshëm.

Duhet ky lexim dhe kjo vetëdije për ngjarjet për të rikthyer PD-në në jetë, sepse duhet të rikthehen më parë në jetë parimet, që pastaj PD-ja të rimarrë frymën. Parimet do na çojnë tek distancimi i vërtetë. Parimet dhe njerëzit parimorë e të vendosur.

E keqja është, se në ditën më të rëndësishme për fatin e PD-së teatrin po e luajnë hileqarët, kurse parimorët po ndjehen të lodhur. Parimorët po japin dorëheqjen.