Dritan Hila
Meta nga Partia e Lirisë dhe Berisha i Foltores deklaruan se nuk japin dorëheqje. Kemi një privatizim të këtyre formacioneve politike. Tashmë nuk ka mbetur një alibi për të thënë që këto janë parti ku ka një konkurrencë të lirë. Janë formacione familjare.
Formacion familjar i Metës, i cili heq e vendos kë të dojë dhe formacion formal ai i Berishës, i cili nëse nuk ka vënë djalin edhe vajzën, janë njerëz që kanë një bindje qorre ndaj tij. Ndërkohë në krahun tjetër kemi dorëheqjen e Alibeajt. Mbetet për t’u parë cila ishte arsyeja. Sipas informacioneve të mia, kemi të bëjmë me një presion të grupimit i cili kërkon një lidhje me Berishën. Por është humbje kohe.
Alibeaj rezistoi deri në fund, për të përjashtuar Berishën nga Partia Demokratike dhe vazhdimin e saj si një projekt politik pa Berishën, por proamerikan. Shumë njerëz si Grida Duma dhe Salianji kaluan që në fillim me Berishën. Pastaj patëm një grupim tjetër që përfaqësohej nga Alibeaj dhe Flutura Açka të cilët kanë një lloj naiviteti politik deri sa i thonë Berishës jep dorëheqjen.
Por Berisha nuk ka bërë gjithë ketë gjullurdi dhe nuk ka shpenzuar para pa fund për të dhënë dorëheqjen. Grupimi tjetër, ishte i vendosur për të vazhduar përjashtimin e Berishës. Ishte grupim i vogël, ku më të spikaturit ishin Alibeaj dhe Bejko. Bejko mori përsipër edhe koston e përfaqësimit të PD-sa në Tiranë, ku gjithë fushatën e bëri me lekët e xhepit.
Ishte një fushatë dinjitoze dhe me program. Unë uroj që Erion Veliaj ta marrë parasysh programin e Bejkos dhe t’ua dëgjojë zërin këshilltarëve të PD-së. Pak gjë ka mbetur nga ky projekt. Me ikjen e Alibeajt, PD-ja kthehet në një OJF. Lulzim Basha që ka mbajtur një tërheqje të pakuptueshme dhe siç duket nuk do të kthehet me. I vetmi institucion legjitim i PD-së ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili edhe ky ra.
Që nga ky moment PD-ja është vetëm një grupim njerëzish, pra një OJF. Këta që u nisën me projektin për të përjashtuar Berishën dhe për të vazhduar pro Amerikës, u dorëzuan. Nuk duhet të ishin dorëzuar, sepse politika mbi të gjitha është këmbëngulje, rezistencë. Ata kanë të paqartë anën politike. Berisha po gëzohet pak shpejt.
Këta që votuan PD-në nuk do t’i bashkohen Berishës. Ata janë proamerikanë dhe antiberishistë të bindur. Pra nuk kishin asnjë dilemë që do votonin kundër Berishës dhe kundër aleancës me Metën. Këta nuk i ka në xhep Berisha. Në zgjedhjet e ardhshme, Berisha nuk do të ketë më koalicion “Bashkë Fitojmë” dhe PD-në, por ka mundësi që të humbë akoma më tepër në radhët e tij. Sepse ka marrë një rezultat tmerrësisht të dobët.
Ata që janë ndarë me të, janë ndarë ideologjikisht. Nuk është një punë që mund të afrohen. Këta janë zgjedhës që kanë qenë në opozitë prej 10 vjetësh dhe Berisha nuk mund t’i joshë. Projekti amerikan kërkon që Shqipëria të jetë pa Berishën. Unë kam informacione që shumë shpejt amerikanët do t’i japin bonuse të tjera qeverisë së Edi Ramës dhe këto bonuse do të tregojnë haptazi mbështetjen e SHBA-së për Ramën dhe kjo mbështetje padyshim që e bën kryeministrin të pathyeshëm në pushtet.
Shqiptarët treguan që nuk e duan Berishën. Gjithë këta mendjelehtë që kujtojnë se mbas Ramës mund të vijë Berisha, ta harrojnë. Nuk do të vijë Berisha. Mbas Ramës, kur t’i mbushet atij mendja që të ikë, mbase pas mandatit të katërt, do vijë Veliaj, sepse projekti Berisha-Meta është një projekt i dështuar dhe zgjedhjet e vërtetuan. Berisha është një projekt i vdekur, ka një moshë të madhe dhe amerikanët nuk kanë ndërmend ta kthejnë. Brenda javës patëm një lajm të mirë dhe një të keq.
Lajmi i mirë është që PD-ja ia doli të hyjë në zgjedhje. Ia doli të marrë një rezultat që certifikonte realisht fuqinë e PD-së, ndërsa 40% që mori Berisha, në fakt ishte përqindja e Metës, jo e demokratëve. Lajmi keq është që ky projekt është i shpërbërë në një lloj paqartësie politike. Do të ishte mire që këta të ishin filizat e një opozite të re.
Mbetet për t’u parë nëse do kemi një rikthim të Bashës. Nëse rikthimi i tii do jetë për të bërë kioskën e vet në PD, është e kotë. Nëse do rikthehet me një projekt që të hapet, me prurje të reja ndaj shoqërisë civile, ndaj garës, ndaj zgjedhjeve të lira brenda partisë, atëherë mund të ketë shpresë për një parti, e cila do të jetë bërthama e një opozitë të fuqishme në të ardhmen.