Këngëtari shkodran Luiz Ejlli ka takuar ditën e sotme kandidatin e Partinë Socilaiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci. Këtë gjë e ka bërë me dije vetë Luizi përmes një fotoje të publikuar në InstaStory ku shfaqet krah Becit.

Në InstaStory-n e radhës, Luizi ka publikuar një video ku shfaqet në makinë teksa thotë: “Për pak shihemi në Shkodër, e dini vetë ju”.

Mbetet për t’u parë nëse Luizi do të dalë hapur në fushatë për Benet Becin apo jo, teksa kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Gjatë qëndrimit në Big Brother Vip, Luizi e ka përmendur disa herë Benet Becin dhe ka deklaruar se është habitur nga mbështetja që ka marrë dikur nga ai, vetëm e vetëm pse ishte shkodran.

“Kur nuk të ndihmojnë ata që mendon se i ke pasur afër, si mund të pretendosh të të ndihmojë dikush vetëm pse është shkodran. Personi në fjalë quhet Benet Beci, një familje shkodrane që unë e njoh shumë mirë, dhe e kam marrë në telefon. Ma ka hapur telefonin direkt. I thashë çfarë ke mundësi ndonjë vend pune, unë do ta bëj. Më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën” – ka deklaruar Luizi.