Nga Mero Baze/
Katër ditë para zgjedhjeve, televizioni i familjes Berisha publikoi me bujë të madhe një video montazh, i cili donte të krijonte idenë e një takimi mes Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës nje vit më parë, i cili sipas Berishës, është shkaku pse ai do humbasë më 14 maj. Në fakt ai do humbasë më 14 maj, por shkaku i shpikur nuk ekziston. Përveçse videoja është një montazh i keq, tregon dhe një anë dhe më të errët të metodave që Berisha vazhdon të përdorë për të shantazhuar kundërshtarët e tij.
Berishës i duhet doemos të nxjerrë në skenë sërish Lulzim Bashën, pasi po i mbarojnë arsyet përse po del më keq se Lulzim Basha në zgjedhjet e 14 majit. E bëri një montazh për të treguar se fitoren e demokratëve e ka sabotuar Basha. Dhe ka një gëzim mbarëkombëtar tek opozita, të cilët duken të “lumtur”, që më në fund gjetën arsye përse po humbasin, dhe akoma më shumë të “lumtur” që po humbasin prapë prej Lulit.
Ky është një leksion i mirë për të gjithë ata opozitarë, përfshi dhe Lulzim Bashën, të cilët në këtë fushatë vendosën të mos i bëjnë betejë Sali Berishës, por ta lënë të humbasë pa “kontributin” e tyre. Kështu shpresonin se më 14 maj do ti thoshin “ik tani se humbe, edhe pse ne nuk ishim kundër”. Sali Berisha nuk funksionon si një politikan normal dhe as si një institucion politik normal. Atij nuk i ka hyrë kurrë në punë e vërteta, por vetëm e vërteta e tij, ajo që ai shpik.
Kështu që të gjithë këta që ndenjën pasiv në këtë fushatë kundër tij, përveçse e kanë ndihmuar Berishën të marrë ca vota kot, natyrisht që do përbalten prej tij dhe si shkaktarë të humbjes. Nevoja që ka Sali Berisha për të fajësuar Lulzim Bashën dhe kundërshtarët e tjerë në PD, nuk bazohet tek faktet, pasi mbështetësit e Berishës, fakt quajnë vetëm atë që thotë Berisha.
Dhe Berisha nuk është as njeri normal dhe as politikan normal, që të bazohet tek e vërteta. Ai e shpik të vërtetën e tij. Dhe shpikja e fundit është ky videomontazh i shpifur, por që i duhet Berishës të tregojë se prapë e ka “tradhtuar” besëpreri Lulzim Basha.
Kështu që më 15 maj fillon përsëri lufta kundër Lulzim Bashës. Dhe me këtë rast rikthehet dhe Lulzim Basha kryetar i PD dhe beteja vazhdon. Edi Rama të vazhdojë të merret me qeverisjen, se PD-në e vdes Berisha. Mos të jetë merak.