Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka folur dje sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Teksa ishte i ftuar në Klan News mbrëmjen e djeshme, deputeti Koçi u shpreh se sipas sondazheve, fitorja e socialistëve në bashkitë e vendit është mëse e qartë, duke akuzuar opozitën se po lufton ndaj qeverisë në vend që të ketë projekte të mirëfillta.

“Një nga problemet më të mëdha që ka sot opozita vjen për shkak se braktisi parlamentin dhe pastaj organet e qeverisjes vendore.

Unë besoj që duhet të vlejë kjo si leksion në të ardhmen që asnjë forcë politike të mos e bëjë një gjë të tillë, sepse këto lloj taktikash që janë bërë për të ngritur një akuzë monizmi praktikisht janë kthyer në një auto-gol shumë të madh.

Mendoj gjithashtu se këto zgjedhje janë në një farë mënyrë të përcaktuara sepse nga sondazhet duket se mbështetja ndaj PS mbetet e njëjta, për të mos thënë që elektorati i majtë është shumë më i madh në numër dhe taktika e opozitës është t’i përdorë organet për luftë dhe jo për punë”, deklaroi ai.

Koalicionin “Bashkë Fitojmë”, socialisti e cilësoi një formacion që bashkon interest e dy familjeve, Berisha dhe Meta.

“Në thelb të këtij koalicioni janë dy familje, nuk është një formacion i mirëfilltë politik, por formacion që bashkon interesa familjare.”

Më tej Koçi theksoi se qëndrimi i kryeministrit Rama ndaj kandidatëve të opozitës ka të bëjë direkt me shpalljen “non-grata” të Sali Berishës.

“E para PS në Parlamentin e kaluar e respekton marrëveshjen me një pjesë të opozitës jashtë, por ishte e detyruar të respektonte atë brenda Parlamentit. Lidhur me deklarimet e kryeministrit nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat, nuk ka lidhje me kandidatët e opozitës, por me shpalljen e Berishës ‘non-grata’. Nuk ka lidhje me mosrespektim të ligjit, por për kandidatë që janë ushtarë të Berishës do ketë një qëndrim tjetër”, nënvizoi deputeti i PS, Petro Koçi.