Peshëngritësi shqiptar Pirro Dhima i cili jeton në Greqi, ka uruar përmes një postimi në Twitter fitoren e Fredi Belerit në zgjedhjet vendore në Himarë. Dhima shkruan se drita e së vërtetës mposhti errësirën e “terrorizmit”.

“Sot drita e së vërtetës mposhti errësirën e “terrorizmit”. Urime Fredi Belerit dhe qytetarëve të Himarës historike që me krenari drejtuan staturën e tyre duke shkruar faqen e tyre në librin e historisë së këtij vendi”, shkruan ai.

Kujtojmë se Pirro Dhima ishte ndër të parët që pati një reagim mbrojtës ndaj Belerit kur ai u arrestua. Në një mesazh në Twitter, Dhima i kërkon që të mos e ulë kokën, edhe pse në fakt u arrestua me dyshimet e forta se po blinte vota.

“Disa prej nesh patën fatin e rëndë dhe të errët të rritjes nga frika e pasojave të fjalës së lirë dhe nën shkeljen e vazhdueshme të të drejtave tona. Sot, ne refuzojmë të ulim kokën ndaj sjelljeve që dëmtojnë demokracinë dhe dëmtojnë shtetin e së drejtës. #Beleri” shkruan Dhima, i cili si peshëngritës ka garuar për ngjyrat e flamurit grek.

Dhima ishte edhe pak kohë më parë në Himarë në krah të kryeministrit grek Mitsotakis ku u pritën nga Beleri.