Fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Albania, Luiz Ejlli, ka folur së fundmi për periudhën e shkurtër pas daljes nga shtëpia e famshme.

Artisti nga Shkodra në ‘Post Big Brother’ ka sqaruar edhe një herë, të gjitha pikëpyetjet që u ngritën për të gjatë 133 ditëve qëndrimi në shtëpinë e Big Brother dhe ka rrëfyer gjithashtu se si qëndronte e vërteta në lidhje me Instagramin si dhe për personin që në fillim ia menaxhonte.

Luizi është shprehur edhe më parë që kur hyri brenda BBVA nuk kishte fare Instagram dhe mbante vetëm një Facebook me njerëzit që njihte dhe vetëm pak pasi është konfirmuar se do të bëhet pjesë e këtij edicioni ai i ka thënë shoqes së tij që të hapë një llogari në instagram në emrin e tij.

“Nuk kam pasur, kam pasur një Facebook me njerëz që njihja. Para se të hyja i kam thënë një shoqes që të ma hapë. Pjesë e kontratës ishin edhe rrjetet sociale”, u shpreh ai.

Këngëtari i njohur më tutje theksoi se pas daljes ka parë që shumë nga njerëzit e kanë shfrytëzuar imazhin dhe emrin e tij derisa ishte brenda.

Duke marrë parasysh famën dhe vëmendjen e madhe që Luizi ka marrë që kur u bë pjesë e shtëpisë më të famshme, të gjithë u ‘sulën’ për të marrë pak nga fama r tij duke e mbështetur dhe duke thënë vetëm fjalë të mira për të.

E në mesin e atyre që e kanë mbështetur, ai tha se shumë prej tyre e kanë shfrytëzuar duke përmendur këtu edhe ata persona që nuk e kanë ndihmuar atëherë kur ka pasur më shumë nevojë për ta.

“Kam kuptuar këto ditë që shumë vetë më kanë shfrytëzuar gjatë qëndrimit tim brenda. Qofshin njerëz të thjeshtë, banorë. Për sa kohe jemi në një vend demokratik është e drejta e secilit ta bëj. Që të gjithë ata njerëz që më braktisën që më shkelën, sot kanë qenë në qindra emisione, studio, rrjete sociale duke u treguar se kush më ka njohur përpara. Në lojë në shtëpi, kam qenë më direkt se të gjithë. Ata e dinë shumë mirë se kush janë”, theksoi mes tjerash Ejlli.

Luizi u cilësua si fenomen i këtij viti për lojën që bëri në këtë format, duke arritur të grumbullojë kështu fansa të shumtë anë e mbanë trojeve shqiptare dhe jo vetëm.