Nga Fatos Hoxha
I keni parë posterat e Belind Këlliçit?
E keni kuptuar mesazhin?
Belo në këto zgjedhje na kërkon që të votojmë për duart e tij, sepse në këto zgjedhje ai vetëm duart ka. Kokën nuk e ka të tijën.
Koka është e Berishës.
Në këto zgjedhje, po votuat për duart e Belindit, duart e tij do merrni. Duart e tij dhe kokën e Sali Berishës.
Unë e quaj të sinqertë mesazhin elektoral të Belindit. Zbulues.
Ai vlen jo vetëm për Belindin, por vlen për të gjithë kandidatët e Foltores.
Në këto zgjedhje Foltorja nuk konkurron për fitore. Përndryshe votën e këshillit nuk ia falte Ilir Metës.
Të ndash votën e mbështetësve, t’u bësh thirrje atyre që të votojnë parti të tjera do të thotë të çorodisësh mbështetësit, t’i largosh nga ngjyrat e tua tradicionale, t’i ftosh drejt pazareve, t’i mërzitësh, t’i zhgënjesh, t’i detyrosh të braktisin procesin, do të thotë t’i hapësh rrugën humbjes.
Ata që njohin historinë e zgjedhjeve, analistët, e kuptojnë këtë që po them. Sali Berisha e di këtë që po them.
Të përçash partinë, t’a sulmosh atë në çdo hap, të denigrosh dhe kompleksosh lidershipin, të mbyllësh rrugët e bashkëpunimit dhe të besh aleancë me kundërshtarin tradicional, të shpifësh e pështysh vrer për eksponentët e partisë, kandidatët, bashkëpunëtorët e mbështetësit e tyre, të trajtosh si armiq e të shitur pjesëtarët e familjes politike, ndërkohë që puthesh në buzë me eksponentët më në zë të krimit e të korrupsionit, të mallkosh e të përbuzësh çdo vlerë e ideal që i përket grupit do të thotë të ngjallësh tek grupi dëshpërim, panik, e pafuqi, do të thotë të largosh demokratët nga procesi, do të thotë t’i hapësh rrugën humbjes.
Sali Berisha nuk kërkon të fitojë zgjedhjet, sepse e di se ky është mision i pamundur. Atij i duhen 4, 5 apo 8 karakolle që t’i përdorë në “luftën” e tij kundër Superfuqisë.
I duhen karakollet edhe për t’u mbrojtur nga sulmi i Drejtësisë.
Ai as nuk e fsheh objektivin për këto zgjedhje.
Ai i ka zgjedhur vetë kandidatët e Foltores të tillë, komandantë karakolli.
Nuk ka zgjedhur burra e gra me mbeshtetje e reputacion, profesionistë të zot a qytetarë shembullorë, njerëz të ndershëm e që ngjallin besim, personalitete me vizion e autoritet.
Ka zgjedhur badigardë, që vlerën e vetme kanë besnikërinë e verbër ndaj tij, njerëz besnik ose të lidhur me fije të padukshme pengu me familjen e tij, ose me ushtarët e familjes në botën e nëndheshme.
Ka zgjedhur duar, por që s’kanë kokë.
Berisha po u kërkon demokratëve në këto zgjedhje të mos votojnë PD, të mos votojnë kandidatët e saj.
Ai po u kërkon demokratëve votën për duart e Belindit dhe shokëve të tij, që pastaj ata të mbrojnë kokën e Berishës.
Unë besoj se demokratët e kanë më kollaj të votojnë në këto zgjedhje me duart e veta për të mbrojtur kokën e vet.
Rruga më e sigurtë është që të votojnë PD dhe kandidatët e saj, sepse aty kanë investimin e vet politik.
Investimi i vet politik është koka që duhet të mbrojnë.