Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Tiranë. Andrzej Duda do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presdidenti Bajram Begaj, ndërsa në këtë vizitë do të jetë i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda. Presidenti polak pritet të mbërrijë në Tiranë më 10 maj.
Presidenca thotë se kjo është vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një Presidenti polak në Shqipëri.
Më 11 maj, ora 11:00, presidenti polak do të pritet me nderimet e rastit nga Presidenti Begaj në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Pas ceremonive të mirëseardhjes, të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim të veçantë dhe më pas do të kryesojnë delegacionet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar, ndërsa në mbarim të takimit, të dy presidentët do të zhvillojnë një konferencë për media.
Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet. Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësish polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).
Gjatë qëndrimit në Shqipëri Presidenti Dudaj do të zhvillojë edhe një vizitë të shkurtër në qytetin e Krujës.