Klevis Alla më në fund flet në Gjykatë mbi ngjarjet e rënda të vitit 2020 që morën jetën e 4 të rinjve.

Rrëfimi i tij ka tronditur jo pak në momentin kur ai ka mohuar praninë e Talo Çelës dhe të Altin Ndocit në ato ekzekutime të dyfishta, ndërsa në njërin u vranë dy vëllezër nga Puka dhe në tjetrën dy shokë nga Durrësi.

Ai ka folur me detaje për momentin fatal që i mori jetën Besmir dhe Viktor Haxhisë, ndërsa ka thënë se nuk e dinte që Viktori do të ishte në makinë me të vëllanë, Besmirin.

Alla, i cili e ka lënë vrasjen te vetja, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, ndonëse këtë të fundit nuk e njihte, ka theksuar edhe një fakt të trishtë, pasi ka qenë ai personi që ka telefonuar Besmirin të vinte tek pika e shitjes së makinave.

Ai u ndal duke i thënë gjykatës së në atë moment, Nuredin Dumani, i cili mbante kapuç si të policisë nxori armën dhe qëlloi nga dritarja e makinës. Edhe personi që ishte pas, i ka thënë i riu Policisë, qëlloi madje pa e ulur xhamin e mjetit që kishin në përdorim skuadrave e killerave. I riu, dëshmitar i Prokurorisë, i tha gjykatës se Nuredin Dumani zbriti nga mjeti dhe i qëlloi edhe të vdekur dy djemtë e familjes Haxhia. Pas këtij vrasjes ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës. Ndërsa Alla e ka braktisur makinën tip “Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit. Më pas, të nesërmen, thotë Alla “kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë pasi në zonë po lëvizin disa policë”.

PËRFSHIRJA E TALO ÇELËS

Klevis Alla, i riu që rezultonte i përfshirë në të dy ekzekutimet e muajit mars dhe prill të 3 viteve më parë në Durrës, ka dëshmuar me dhjetëra herë në prokurori. Duke mos e besuar, grupi hetimor ka këmbëngulur t’i merrte dëshmi herë pas here, derisa erdhi momenti i ballafaqimit me killerin e penduar Nuredin Dumani, i cili në rrëfimin e gjatë pas ‘pendesës’ së tij dëshmoi edhe mbi vrasjet e dy djemve të familjes Haxhia si dhe për ekzekutimin në të njëjtën mënyrë të Dorian Shkozës dhe tek Anxhelo Avdiajt. Por duke qenë se Alla nisi të rrëfente para se sa të arrestohej Nuredin Dumani me Henrik Hoxhën, ai kishte frikë që të tregonte të vërtetën, frikë që ia ka pohuar edhe prokurorit të çështjes që sot është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme. Ai përfshiu herë pas here Talo Çelën dhe Altin Ndocin duke përjashtuar Nuredin Dumanin, i cili e kishte kërcënuar se do t’i vriste motrën.

Kështu, vrasja e dy vëllezërve po gjykohet në një dosje të vetme bashkë me ekzekutimin e dy personave të tjerë, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, Prokuroria e Posaçme SPAK bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, pasi vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se një km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm. SPAK përfundoi hetimet në vitin 2021 për Talo Çelën dhe grupin e tij lidhur me dy vrasje të bujshme në Durrës atë të 2 vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe vrasjen e të rinjve Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia. Për vrasjet akuzohen Talo Çela, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva. Kështu, sipas SPAK, Talo Çela është i akuzuar për 5 vepra penale, mes tyre, për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia. Gjithashtu, Çela, i cili është në arrati, akuzohet edhe për tentativën e vrasjes me paramendim ndaj Irfan Hazizit.

SI NDODHI VRASJA E DY VËLLEZËRVE?

Vrasja e dyfishtë ka lidhje me serinë e vrasjeve që ndodhen për paratë e grabitura në pistën e aeroportit të Rinasit. Besian Xhixha dhe Enver Diva ishin parapaguar 5 mijë euro për të vrarë një nga vëllezërit, Besmir Haxhia, ndërsa vëllai tjetër u vra aksidentalisht. Urdhri për vrasjen ishte dhënë nga i kërkuari i drejtësisë Nuredin Dumani, ky i fundit ishte bashkëpunëtor dhe mik i afërt në atë kohë me të shumëkërkuarin e drejtësisë Talo Çela, i përfshirë në grabitjen e parave në Rinas. Parapagesa ishte bërë dy javë para vrasjes, ata kishin vëzhguar Besmirin më para, hap pas hapi, më pas sikurse bën me dije SPAK, Diva u prek nga covid dhe prandaj nuk u bë porosia. Ai njoftoi Dumanin se nuk mund ta kryente vrasjen dhe më pas ekzekutimi i Besmirit është bërë nga të tjerë ku ishte i pranishëm Talo Çela, dhe shtetasi Doçi. Sipas hetimeve Çela dhe Dumani kanë thënë se “Besmiri po fliste shumë, i kishte hyrë vetja në qejf dhe nuk duhet më të qarkullonte”.