Kryeministri Edi Rama dhe Drejtuesi politik i PS për qarkun e Fier Taulant Balla morën pjesë në takimet elektorale të mbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit në Lushnje dhe në Fiet.

Në fjalën e tij Balla është shprehur shumë mirënjohës ndaj qytetarëve të Lushnjes dhe Fierit për mbështetjen e madhe në takimet përmbyllëse të fushatës elektorale.

Balla u shpreh se kjo pjesëmarrje është shumë domethënëse për zgjedhjet e 14 majit, si dhe nuk la pa përmendur edhe takimin e Saliut që kish organizuar në Lushnje në të njëjtën ditë me Partinë Socialiste duke e krahasuar me filmin “Koncert në vitin 1936”. Gjithashtu Balla theksoi se Saliu edhe pse me pjesëmarrje nga Kuçova, Berati dhe Fieri ato arritën të mbledhin 171 veta.

“Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka qenë kaq mirë e përfaqësuar, kaq e respektuar në arenën ndërkombëtare sa është sot. Unë jam shumë krenar që me Partinë Socialiste dhe me mbështetjen e pakursyer të Edi Ramës për Lushnjen kemi filluar një fazë te re të transformimit të këtij qyteti e të kësaj Bashkie. Kemi parë nga afër punimet që sapo filluan tek unaza e qytetit dhe që po vazhdojnë tek Përroi e plot e plot vepra të tjera sikurse është përfundimi brenda pak javësh edhe i ujësjellësit.
Bashkë gjatë kësaj fushate kemi pasur mundësinë të diskutojmë me shumë qytetarë, ndërsa në këtë takim kaq madhështor për një moment mu kujtua filmi “Koncert në vitin 1936”, teksa prej disa javësh kishim njoftuar këtë takim na doli që edhe Nuri Beu, pra Salikja donte që të bënte një aheng këtu afër, e patë megjithë ata që erdhën nga Kuçova, Berati dhe Fieri arritën të mbledhin 171 veta. Shumë mirë bën Nuri Beu dhe ky xhandar Veseli kandidati i vet. Kjo është Lushnja. Le t’i tregojmë gjithë Shqipërisë se kush është Lushnja e vërtetë, dhe në 14 maj t’i japim Edi Ramës dhe Partisë Socialiste një mbështetje si asnjëherë tjetër nga Lushnja. Jam shumë krenar që këtu së bashku me Eriseldën, bashkë me deputetë dhe me të gjithë të tjerët punojmë çdo ditë për ta transformuar Lushnjen. Lushnja është kryeqyteti i bujqësisë, është hambari i prodhimit bujqësor shqiptar bashkë me Divjakën dhe bashkë me pjesën tjetër të Myzeqesë. Na duhet të bëjmë më shumë punë në bujqësi. Dhe të jeni të sigurtë, këtë votë masive që ne presim të marrim në 14 maj, do dimë si ta vlerësojmë me punë konkrete në të gjitha fushat. Votoni Eriselda Sefa dhe Partinë Socialiste”.