Dritan Hila

GJKKO la në burg Fredi Belerin, ish-kandidatin për kryebashkiak të Himarës, i zgjedhur me një diferencë për 17 votash. Kjo ka shkaktuar një valë protestash te Athina zyrtare. Ministri i Jashtëm i Greqisë Dendias takoi ministren Xhaçka dhe i kërkoi sqarime për këtë rast. Ministrja ia bëri të qartë se bëhet fjalë për një vendim të gjykatës, e cila është e pavarur si pushtet. Por Dendias ka thënë se do ta ndjekë më tej këtë problem. Ajo që nuk kuptoj unë nervozizmi i Dendias, sepse bëhet fjalë për një krim që në Greqi dënohet me masa represive.

Ditën e zgjedhjeve në Greqi, 6 romë janë vënë në arrest me dyshimin për blerje vote. Është një krim që Greqia e njeh edhe e dënon. E kuptoj që i duket çudi si mund të dënohet në Shqipëri një njeri që e deklaron vetën grek, aq më tepër për vjedhje. Kjo në fakt duhet kuptuar nga fqinjët tanë, sepse për 30 vjet bënë rrush e kumbulla gjithë paratë e Evropës, kështu që vjedhja nuk u duket ndonjë krim kushedi se çfarë. Po kemi të bëjmë me një krim, i cili në Kodin Penal Shqiptar, edhe për vetë faktin e problematikës që ne kemi pasur me zgjedhjet, që Shqipëria dhe palët politike kanë qenë të ndjeshme ndaj këtij fenomeni, ka dënime shumë të mëdha. Edhe Beleri hyn në ato raste kur Kodi Penal është shumë i ndjeshëm.

Po pse është lënë në burg Fredi Belerin? Ai nuk mund të ndiqej në gjendje të lirë për dy arsye. Kryesorja është që ishim në një proces votimi, pra është arrestuar dy ditë përpara votimit. Beleri mund të ndryshonte rezultatin. Neve nuk jemi ende të bindur se ato 17 vota nuk vijnë si rezultat i një manipulimi akoma më të madh që ka bërë Beleri gjatë atyre ditëve sepse nuk është një proces që ndodh për një ditë, por kërkon shumë ditë, javë e muaj. Nëse do ishte kapur më përpara, mbase nuk do kishim këtë rezultat.

Arrestimi i tij ishte një nga arsyet që krimi mos thellohej. Arsyeja tjetër që e shtyu gjykatën ta mbajë në gjendje arresti; Fredi Beleri u dënua në vitin 2003 për nxitje të urrejtjes etnike. U dënua me tre vjet burg, të cilat nuk i ka shlyer. Përkundrazi u arratis, ndenji 10 vjet jashtë shtetit, derisa krimi u parashkrua dhe u rikthye në Shqipëri sepse nuk mund të dënohej më. Në këtë rast kemi të bëjmë me një person përsëritës. Kush jepte garanci që Fredi Beleri në një moment të caktuar nuk përgjigjej për këtë krim dhe ia mbathte, ikte sërish ne Greqi? Askush! Gjykata vendosi ta lërë në burg Belerin sepse duke qenë jashtë mund t’i bëjë presion dëshmitarëve që të ndërrojnë dëshminë.

Dhe kjo do bjerë një fiasko të jashtëzakonshme të gjithë kësaj sipërmarrjeje, e cila nëse Greqia do të ishte një shtet evropian, një shtet që nuk i cilëson shqiptarët si një racë inferiore, si vasalë, nuk do kishte bërë fjalë fare, nuk do ishte ndjerë. Mirëpo sado që ta mohojnë, Greqia e ka një agjendë të vetën. Në agjendën e saj është kthimi i bregut në një territor minoritar dhe më vonë në një territor grek, i marrë me dhunë Greqisë në kohën kur u bë ndarja territoriale e Shqipërisë dhe njohja e pavarësisë.

Përndryshe nuk shpjegohet kjo lloj egërsie e Greqisë, në reagim. Shpresoj që mos manipulohen provat për Belerin, mos bëhet presion ndaj dëshmitarëve. Do i këshilloja prokurorinë dhe policinë që të krijojnë një rrjetë mbrojtëse ndaj tyre, për të parë që nëse shkon dikush t’u bëjë presion që të ndërrojnë dëshmitë, ta fusin edhe atë në burg, sepse quhet pengim i drejtësisë. Shpresoj që ky proces të shkojë deri në fund, në mënyrë që shtetasit shqiptarë ta kuptojnë që vota nuk shitet dhe blihet. Ndërsa Fred Beleri dhe shokët e tij ta kuptojnë, që hallet zgjidhen brenda shtetit të tyre dhe nuk kanë pse qahen te Greqia. Sepse pastaj nuk zgjidhin gjë dhe mbeten në burg.