Nga Dritan Hila
Benet Beci ka qenë resurs i së djathtës deri në 2013-ën. Pjerin Ndreu ka qenë aset i LSI-së deri në vitin 2009. Këta janë dy shembuj sa për fillim.
Oltion Cacin, aq sa e njoh, nuk më është dukur kurrë ndonjë majtist në ide. Të gjithë këta janë tashmë bashkiakë socialistë të zgjedhur me diferenca votash përtej fantazive hajdutërore të Berishës dhe Metës. Ermal Dredha është aset i së majtës, por siguroi 230 milionë euro ndihmë për tërmetin ndërsa ishte ambasador në Emiratet e Bashkuara dhe kjo i ra në sy Ramës, ndërsa rreth e rrotull kishte këshillin e ndrikullave që prodhonin llafe e jo para në kohën që Rama kishte nevojë urgjente për valutë që të strehonte njerëzit. Dredha prodhoi para dhe jo llafe.
Flamur Golemi ishte mjeku që rastësia e solli në krye të Gjirokastrës, por rezultoi mashkulloriti që i dha frymë e jetë këtij qyteti më shumë se disa kryebashkiakë që prodhuan fjalë e kulla të shëmtuara në qytetin që vlerë ka arkitekturën e konakëve. Tetë vite më parë Gjirokastra po katandisej në fshat. Golemi i riktheu hijen e dikurshme.Lista është e gjatë. Në analizën e humbjes së të djathtës, përveç arsyeve serioze, boria mediatike e Berishës është gufosur në argumentet e lidhura me blerjen e votave. Në fakt është çështje modernizimi. Rama ka dhuntinë e asaj që quhet “talent scout”-zbulues talentesh. Për Ramën nuk ka rëndësi je i majtë apo i djathtë. Nëse ti prodhon vota, pare dhe bën punë, atëherë merr siglën e PS-së dhe merr votat.
Së dyti ka lidhje me sklerotizimin e kundërshtarëve të tij. Të gjithë këta, pa përjashtim, kanë hallin e kioskave të tyre, se mos dikush me mendim politik, u rrezikon kryet e oxhakut. Nuk e kanë keq. Ja, për shembull, kanë fituar Mirditën, Hasin dhe Memaliajin. Pak si të vogla për t’u marrë seriozisht, por të mjaftueshme për të luajtur opozitash.