Intervistë me Zef Mazi, ish-ambasador dhe ish-kryenegociator i Shqipërisë me Bashkimin Evropian
Pyetje: Pak muaj më parë bëmë një intervistë me ju për problemet me cilat ndeshet Kosova. Para disa ditësh, forcat e sigurisë, të policisë, ndërhynë në disa komuna në veri, pas zgjedhjeve, për të vendosur rendin. Pati kritika direkte ndaj Qeverisë të Kosovës. Keni koment?
Përgjigje: Strukturat më të larta të shtetit të Kosovës, Presidenti dhe Qeveria e Kosovës, kanë zbatuar plotësisht, pa shkelje, vetëm të drejtën e tyre kushtetuese. Ata kanë siguruar, përmes agjensisë të zbatimit të ligjit, që kryetarët e porsa-zgjedhur të komunave në veri të hyjne në zyrat e pushtetit lokal ku janë zgjedhur dhe të fillojnë të ushtrojnë funksionet e tyre.
Qeveria e Kosovës ka plotësisht të drejtë të ushtrojë kontroll dhe të sigurojë zbatimin e ligjit në krejt territorin e shtetit të Kosoves. Veriu i Kosovës është në Kosovë. Prandaj, nuk shoh shkelje.
Cdo qeveri qendrore në shtet unitar, federal apo monarkik, do të instruktonte policinë, forcat e sigurisë, që të ndërhynin për të zbatuar ligjin kushtetues të shtetit nëse elementë vandalë e destabilizues nuk do të lejonin të porsa-zgjedhurit të hynin në zyra për të ushtruar funksionet e tyre.
Çdo shtet, politikan apo diplomat, që kritikon Qeverinë e Kosovës, duhet te shohë nga afër nga vetja, si veprohet në shtetin e tyre në raste të tilla. Kosova është shteti më perëndimor, pro-amerikan sot. Kur kjo I bëhet Kosovës, po të tjerëve?!
Eshtë bërë e modës të shihen dhe kritikohen vetëm gabimet e të tjerëve e të anashkalohen, injorohen të vetat. Sot çdo gjë është e lexueshme dhe shpejt, në mos sot, do të jetë edhe më e qartë.
Është e habitshme, e pabesueshme, kundër-produktive, ndonëse jo e papritur, që, në koordinim, të kritikohet Qeveria e Kosovës dhe të ”urdhërohet“ çfarë të bëjë! Vasalilteti ka një kufi apo jo? Kosova ka qeverinë e saj që mendon, vepron dhe mban përgjegjësi për cka bën. Nuk ka arsye bindëse përse duhet të qortohet Qeveria e Kosovës për këtë cështje, pavarësisht nga cili bëhet dhe nga vijnë kritikat.
Fort, drejt, hapur duhen dënuar veprimet që bëhen nga elementë destabilizues në veri për të mos lejuar të porsa-zgjedhurit të hyjnë në zyra! Ato veprime janë të papranueshme, të dënueshme, të organizuara e të koordinuara nga jashtë Kosoves, nga tjetër kryeqytet! Këtë e dijnë mirë kritikuesit e Kosovës sot.
Pyetje: Miqtë e mëdhenj të popullit tonë dhe kryeministri ynë e kanë kritikuar Qeverinë e Kosoves dhe i kanë kërkuar të mos vijohet në këtë rrugë.
Përgjigje: Nuk habitem nga ato kritika, edhe kur përdoret, herë-herë, stili i papatit! Logjika foshnjore, emotive, e dashurisë pa kufi, e ”miqve të mëdhenj apo të vegjël“ të popullit tonë, megjithë fjalët e ndjera që u themi dhe i meritojnë, duhet t’i lenë vendin arsyes, mendjes të ftohtë, njohjes të marredhënieve politike, interesave. Ishin te tjera interesa dje që jemi sot aty ku jemi, por jo për “sytë e bukur“. Fakt mirënjohës është që Kosova fitoi drejtpërdrejt nga kjo konjukturë. Por ajo luftë, sakrifica, të vrarë e djegur, nuk u bë që shteti i Kosovës të destabilizohej, apo më keq, të pjestohet në afat të gjatë.
Në politikë ka VETËM interesa. “Politika nuk ka lidhje me moralin“, ka thënë Makiaveli. Qëndrimet kritikuese, të përsëritura, pa bazë, vetëm ndaj Qeverisë të Kosovës, që mbron Kushtetutën dhe rendin e shtetit te saj, mbështetjet hapur të politikës të Beogradit, po i fryjnë erërave të destabilizimit. Dihen shtetet që janë inkonsekuente në politikën e jashtme. Nuk është gjë e re.
Ka ardhur koha t’i thirret arsyes, të thuhet e vërteta hapur, ndershëm, në sy. Objektivi i interesit për Kosovën dhe për territorin e saj është arritur. Tani interesi është shvendosur në Beograd. Kjo duket ditën për diell, si thuhet. Ka të ngjarë që në këtë ekuacion hyn edhe mbështetja për dikë tjetër se “paska marrëdhënie të mira“ me Vucicin dhe mund të ndikojë ta largojë atë nga Rusia. “Fantashkencë“, diletantizëm, që dëshmon cektësinë e njohjes së historisë!
Drejtuesit aktuale politikë dhe përfaqësuesit e tyre diplomatikë të cilët flasin sic po i degjojmë, duket se vuajnë nga një keqkuptim, apo moskuptim themelor: në një shoqëri me standarte të dyfishta, procedurat politike, juridike dhe penale janë tejet kontradiktore.
Kur të dyja palët mbrojnë fort pozitat e tyre, punohet dhe arrihet një ekuiliber midis mbrojtjes të të drejtave dhe ruajtjes të rendit dhe sigurisë te shtetit. Në këtë rast, të gjithë sikur janë vënë në garë për të mbrojtur vandalët, shkelësit e ligjit dhe të rendit publik kushtetues dhe adminstrativ! Ky ekuiliber prishet! Është padrejtësi tepër e madhe të vihet shenja e barazisë midis të pabarabartëve – atyre që shkelin ligjin dhe atyre që e mbrojne atë dhe rendin kushtetues. Nuk mungohet të përmendet dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKS-së, ka vdekur pa lindur!
Pasojat e paevitueshme politike janë ato që duken në kohë reale: rritje e akteve destabilizuese në llojshmeri dhe kohëzgjatje. Përse ata që kanë përgjëgjesi politike mbajnë të tillë qëndrime që, automatikisht, të cojnë në më shumë destabilitet sesa më pak? Ndoshta sepse kështu qëllimi justifikon mjetin, arrihet rezultati i dëshiruar!
I gjithe faktori politik, partiak, parlamentar apo jashtë tij, akademik, i OJQ-ve, i biznesit, i mediave, etj., duhet të jetë i bashkuar, jo i përcarë, në mbështetje të qëndrimeve të Qeverisë për këtë cështje. Opozita sot nesër do jetë në pushtet dhe mund të ndeshet me të njëjtat probleme, ose edhe më rëndë.
Pyetje: Qortime dhe udhëzime disi të prera janë bërë edhe për zbatimin e marrëveshjes për asosacionin e konunave serbe. Ju keni folur për këtë cështje. Dicka për të shënuar?
Përgjigje: Po përsëris: në vitin 2013, Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar, mos gaboj, mbi 30 marrëveshje. Përse duhet të kërkohet patjetër sot që të zbatohet vetëm ajo e asosacionit dhe me priooritet?! Apo se kështu e kërkon Serbia?! Përse insistohet pikërisht tek kjo? Përse të tjerat marrëveshje mund të zbatohen kur t’i vijë radha, për to ka kohë? Përse të krijohet hierarki priorizimi marrëveshjesh kur nuk ka një të tillë? A ka reciprocitet, për shembull, në lidhje me Bujanovcion dhe Metvegjën? Apo amb. Hill paska thënë se ato nuk do krijohen dhe ai e di më mire dhe paska mbyllur këtë! Përse merret me të mirë Serbia duke e mbështetur në këtë pikë? Cilat janë interesat, etj., etj?
Asosacioni vetëm për një pakicë, kur në Kosovë ka disa, bart rreziqe jo të vogla. Ai nuk është i kufizuar vetëm në veri, por shkon deri ne rrethinat e Prishtinës. Marrëveshja e Ohrit ka një numër problemesh. Unë nuk do e kisha firmosur marrëveshjen e Ohrit. Me përvojën e gjatë që kam, shoh se ai është vetëm hapi i parë, prandaj insistohet; ai hap do të pasohet nga i dyti – kërkesa për autonomi, që do të pasohet nga i treti – ushtrimi i të drejtës të vetë-vendosjes, që çon në shkëputje. Ky term është që në paragrafët hapës të marrëveshjes franko-gjermane Prishtinë-Beograd, që Vuçiç nuk e ka firmosur, Kurtit iu bë presion ta firmoste. Vuçiçi e di mirë se çka bën, e ka llogaritur dhe përse e bën. Linjë e ngjashme me Republika Srbska, pavarësisht çka publikisht thuhet se nuk është kështu, sepse ashtu duhet thënë.
Pyetje: Ndërmjetësimi i negociatave, keni shprehur disa vërejtje më parë.
Përgjigje: Ndërmjetësimi i negociatave nga të përzgjedhurit e BE-së, me miratim dhe të Amerikës, përbën gjithashtu problem të madh. Borreli dhe Lajcak kanë konflikt madhor interesi në këtë ndërmjetësim! Ata kanë qenë ministra të jashtëm të vendeve të tyre.
Spanja dhe Sllovakia nuk e kanë njohur Kosovën as sot e kësaj dite; nuk dihet kur, dhe nëse, do ta njohin. Në ato kapacitete ministrore, Borrel-i dhe Lajcak-u u kanë dhënë instruksione ambasadave të tyre për qëndrimin të mos e njohin Kosovën, dhe atë qëndrim tua komunikojne të bashkëbiseduesve në vendet ku ata janë të akredituar. Këtë qëndrim kanë mbajtur edhe vetë në takime.
Si mundet që ata të vazhdojnë në këto funksione?! Si mundet që Kosova vazhdon të pranojë që ata të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e ndërmjetësit! Besimi në nivel te ulët. Lehtë gjenden të tjerë të kompletuar. Ka pesë shtete në BE që ende nuk e kanë njohur dhe nuk dihet kur, nësë do e njohin, që përbën inkurajim direkt për politikën e Beogradit. E ardhmja nuk duket se do jetë e qetë, e paprovokuar. Përkundrazi, fatkeqësisht.