Qarku Shkodër është ndarë me rezultatin 3-2 për PS. Socialistët kanë marrë për herë të parë Shkodrën, gjithashtu edhe Vaun e Dejës, e ndërsa nuk kishte surprizë as në Malësinë e Madhe të cilën do ta drejtojë PS. Nga ana tjetër, koalicioni “Bashkë Fitojmë” kanë marrë Pukën dhe Fushë Arrëzin.

Për herë të parë, PS merr Shkodrën. Benet Beci merr fitore bindëse përballë kandidatit të Metës dhe Berishës, Bardh Spahia. Referuar të dhënave zyrtare, Benet Beci ka marrë 34302 vota, e ndërsa Bardh Spahia i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 22678 vota.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka arritur që të marrë bashkinë e Pukës. Rrok Dodaj ka mundur kundërshtarin e tij socialist Gjon Gjonaj. Dodaj ka marrë 3480 vota, e ndërsa Gjonaj 2507 vota.

Në Fushë Arrëz, fitoren e merr kandidati i BF, Hil Curri me 58.99%, ndërsa kandidati i PS Fran Tuci merr vetëm 41.01%. E thënë ndryshe Curri ka marrë 2693 vota, e ndërsa Tuci i socialistëve 1872 vota.

Zef Hila i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka pranuar humbjen në Vaun e Dejës dhe ka shtrënguar dorën me kundërshtarin, Kristjan Shkreli.

Në Malësinë e Madhe fitoi socialisti Tonin Marinaj përballë kandidatit të Bashkë Fitojmë Isa Ramaj.