Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar ashpër në lidhje me incidentin e rëndë nga volejbolli i vajzave U-18 ku trajneri i Skënderbeut Romeo Xeka, ka goditur me shuplakë dy prej volejbollisteve të skuadrës së tij.

Bëhet me dije se Romeo Xega, i cili ka qenë disa herë objekt i Komisionit të Disiplinës pranë FSHV-së, është penalizuar e dënuar me masa të ndryshme disiplinore bazuar në Rregulloren e Brendshme dhe Kodin e Etikës e Disiplonës të FSHV-së.

Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që Romeo Xegës i hiqet licensa e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta zyrtare për të ushtruar, drejtuar e trajnuar çdo lloj ekipi pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare të FSHV-së.

Federata Shqiptare e Volejbollit është konsekuente të zbatojë me përpikmëri e të ndëshkojë këdo që thyen Kodin e Etikës e Disiplinës dhe Rregulloren Brendshme duke denigruar figurën e sportit e duke prishur imazhin e lojës së volejbollit.