Ka nisur procesi për zëvendësimin e disa ambasadorëve të cilëve u kanë mbaruar mandatet. Mësohet se këto ndryshime nga qeveria, pritet që të kalojnë në Presidencë për t’u zyrtarizuar.
Analisti Mustafa Nano, i kontaktuar nga “BalkanWeb” konfirmoi lajmin lidhur me propozimin që ka marrë për të qenë ambasador i Shqipërisë në Zvicër.
Ndërkohë sipas Top Channel, Ilir Gjoni i cili është ambasador në Zvicër, mësohet se është propozuar të kalojë ambasador në NATO.
Ish-deputeti Ervin Bushati, pritet të zëvendësojë ambasadoren Floreta Faber, në SHBA.
Ndërsa vendin e ambasadorit në Emiratet e Bashkuara nga Ermal Dredha pritet ta zëvendësojë Ridi Kurtezi. Bëhet me dije se Adia Sakiqi, ambasadore e Shqipërisë në Holandë, pritet të emërohet ambasadore në një tjetër shtet në BE.
Emri tjetër, ish-nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi do të drejtojë Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Sakaq ish-deputeti socialist Fate Velaj do të drejtojë diplomacinë shqiptare në Vjenë.