Kryeministri Edi Rama vazhdon të ashtuquajturin “tur i falenderimeve” pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit dhe ditën e sotme është ndalur në qarkun e Lezhës.
Ai ka zhvilluar një takim bashkë më ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, kryebashkiakun Pjerin Ndreu dhe me këshilltarët e rinj socialistë në Lezhë
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi fitoren në atë zonë si “jashtë parashikimeve” pavarësisht gjithë punës së bërë në zonat e këtij qyteti.
“Për hir të së vërtetës ka qenë një nga betejat e vështira edhe ka qenë një nga ato 11 betejat e hapura, që deri në fund unë e kisha me merak. Kjo është një zonë aspak e lehtë, por shumë zonë e vështirë, por kisha atë ndjesinë, që ne të paktën këtu kemi bërë atë çfarë kemi mundur, jo sa kemi dashur.
Më mbante besimi se njerëzit do ta vlerësonin këtë gjë dhe kështu ndodhi dhe për hir të së vërtetës ishte fitore që kaloi parashikimet. Unë thosha do jetë e ngushtë, por u punua shumë në fushatë, u bë organizim shumë i mirë. Këtu kemi organizim të mirë të degës së PS dhe ka shpërblyer puna”, tha Edi Rama.
Kujtojmë se kandidati i mazhorancës Pjerin Ndreu u shpall fitues më 15 Maj me 1900 vota epërsi ndaj rivalit të tij politik. Siç ndodhi me kryetarin e bashkisë, edhe në Këshillat Bashkiakë PS-ja doli forcë e parë me 9 mandate në Lezhë.