Klosi, qyteza e izoluar dhe rrënuar për dekada me radhë nga keqqeverisja vendore, e cila vetëm në vitet e fundit ka prekur ndryshimin, duke shënuar arritje të rëndësishme në realizimin e projekteve në dobi të komunitetit, – ishte stacioni i radhës në rrugëtimin e gjelbër drejt 14 majit për të mbjellë pemë të reja dhe për të kërkuar besimin për Valbonën mjeken humane të zonës, në krye të punëve të bashkisë.
Edi Rama: Ka bashki të vogla të cilat po shikojnë një transformim shumë të madh dhe në këtë drejtim. Një nga shembujt është Belshi. Belshi është një qytezë që ka një liqen të vogël dhe pastaj në gjithë zonën rreth e rrotull ka prodhim bujqësor, ka disa liqene dhe Belshi, kur ne kemi marrë drejtimin ishte një tmerr, ishte një vend nga ku të gjithë donin të iknin, ku nuk kishte asnjë gjë, edhe liqeni ishte si kënetë i rrethuar nga plehrat, rrethuar nga ferrat. Ujë nuk bëhej fjalë, infrastrukturë nuk bëhej fjalë, për të shkuar në Belsh duhej të thyeje balestrat e makinës bashkë me balestrat e tua.
Sot, Belshi është një vend ku për një vakt fundjave ka 3 mijë vizitorë dhe është një vend ku kanë filluar investimet nga ata që vijnë nga emigracioni ose që çojnë paratë për të bërë bujtina, për të hapur restorante dhe janë shumë të kënaqur sepse fitojnë më shumë sesa fitonin atje duke punuar për të tjerët.
E njëjta situatë është dhe me Tepelenën. Tepelena ishte një tmerr. Sot Tepelena ka 40 milionë euro investime të tepelenasve që çojnë ose vijnë me kursimet e tyre nga emigracioni dhe kjo është e ardhmja, sepse këto bukuri dhe ky shpërthim i Shqipërisë turistike nuk ka fund në sensin e potencialit.
Në Klos, ne nuk mund dot t’i imagjinonim këto gjëra më shpejt sesa të krijonim lidhjen dhe tani me 40 minuta lidhje me Tiranën e të kthehesh tek Bedriu është si me i thënë të ardhmes “Ik se unë po nisem mbrapsht në të shkuarën time”.
40 minuta lidhje do të thotë që Klosi t’i vërë gjithë këto bukuri, t’i vërë gjithë këto prodhimet, t’i vërë gjithë këto tradita të mikpritjes në shërbim të ekonomisë së tij dhe këtu po ju them që qarku i Dibrës do jetë një qark që do të përfitojë ekonomikisht në mënyrë që nuk mund ta imagjinoni dot nga turizmi, nga vizitorët, nga atraksionet.
Është fushata e parë në kujtesën time që nuk flasim për ujë të pijshëm; jo se kemi mbaruar të gjithë projektin madhor të ujit të pijshëm, por sepse kemi siguruar ujë të pijshëm në të gjitha qendrat urbane, kemi siguruar ujë të pijshëm në shumë zona dhe sot ne mbulojmë me ujë të pijshëm më shumë se ç’mbulohej me ujë të pijshëm në Shqipërinë përpara ’90-ës, para se të vinte Bedriu që t’i hante ujësjellësit, përpara se të vinin Bedritë.
Sot këtu ne me plot gojën ju themi mos bëni gabime, jo ju, se ju derisa keni ardhur këtu e keni ndarë mendjen, por u themi të tjerëve mos bëni gabime, Bedriun mbajeni në kafe për muhabet. Unë nuk po them që ta hidhni poshtë, kush e ka shok ta mbajë në kafe, kush e ka kushëri t’i pijë lëngun, por në asnjë mënyrë Bedriun për ta sjellë në bashki. U habita, sinqerisht nuk e dija, dëgjova Bedriun, thashë mos ishte ndonjë Bedri tjetër, tani 6 herë i njëjti Bedri, i ka mbetur mendja aty.
Nuk kemi nevojë t’i fyejmë sepse edhe në hall janë, me thënë të drejtën, copë-copë janë, ju ka ngelur dhe non-Grata në qafë. Kështu që nuk është mirë t’i fyejmë, por duhet t’i mbajmë larg nga bashkia këta njerëz sepse duke futur Bedriun aty, do na shtyni ne larg, jo se nuk do duam ne, por si të bashkëpunosh me Bedriun? Bedriu nuk po shkon aty që të bëjë punë për ju se ai ishte më i ri dhe më energjik kur mund t’i bënte punët dhe bëri “Noc Rrokun”. Imagjino Bedriu tani po vjen për ju! Jo! Bedriun po tenton ta fusë ai tjetri që nuk ka as emrin në fletë votimi. Domethënë e ka marrë vulën në lule të ballit si ato delet që i vë numrin në vesh “i padëshirueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe Amerikës por edhe për Europën se Europa nuk bën nga këto, nuk vë vula por ama kur e vë vulën Amerika, Europa nuk hap më derë.
Kështu që e ka marrë ai Bedriun, ka gjetur disa Bedri nëpër Shqipëri se të gjithë kështu i ka, i ka marrë, i ka shkundur nga arkat e historisë, por këta nuk kanë lidhje fare. I duan për t’i marrë bashkitë për të filluar prapë atë lojën e vjetër, merr fondet ca në shtëpi e ca të tjera paguaj autobusë e mos i mbaj punëtorët këtu për tu marrë me shërbimet, por futi në autobus e të vijnë në Tiranë e të bërtasin “Rama Ik”.
Unë nuk kam hallin tim se ju e keni parë se sa kam ikur nga të gjitha britmat e tyre; sa më shumë thonë ata ik, aq më shumë unë rri. Problemi është tek ju, tek puna këtu.
Ky qark ka dhe një avantazh tjetër, që ka Belindën këtu që është burri më i fortë që kemi në qeveri, përveçse është edhe grua, edhe nënë, edhe shoqe, është kokëderre e madhe si person dhe e keni parë sa shumë rri këtu me ju, por jo tani, por qysh ka ardhur e deleguar. Sa herë ndodh që e kërkoj thotë “jam në Dibër”, dhe realisht kemi vendosmërinë bashkë me Belindën, bashkë me gjithë të tjerët që t’i japim një shtysë shumë të fortë këtij qarku sepse është një potencial ekonomik i pazbuluar dhe tani kemi mundësinë ta nxjerrim dhe ta vëmë në dispozicion të ekonomisë sonë dhe jo thjesht për dibranët, por për ekonominë shqiptare, se Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm nuk mund të bëhet vetëm me bregun e detit, nuk mund të bëhet vetëm me qendrat urbane të mëdha, por duhet të bëhet patjetër duke futur brenda dhe pjesën malore të Shqipërisë, me të gjitha ato bukuri dhe mrekulli që ka dhe me gjithë atë pasuri që ka.
Për Valbonën nuk kam unë për të thënë shumë se ju e njihni. Di të them se Valbona nuk është pa punë. Nuk është si Bedriu. Nuk është pa punë. Nuk është se erdhi dhe kërkoi siç shkon Bedriu. Bedriu këtë punë paska. Sa herë vijnë zgjedhjet kërkon të kandidojë. Ne ia kërkuam sepse realisht duam të bëjmë hapa të tjerë përpara me Klosin dhe mos harroni, unë e them gjithmonë, bashkia është grua, qeveria është burrë. Qeveria merret me lloj-lloj gjërash. Me luftëra, përballu këtu, përplasu aty, zihu aty, si burrat. Bashkia është e zonja e shtëpisë. Bashkia është aty për të pastruar rrugët siç pastrojnë gratë, shtëpitë. Përfytyroni për një moment t’ju ikin gratë 1 muaj, e dini vetë ju se si bëhet situata. T’ju ikin gratë ju 1 muaj nga shtëpitë, jo shtëpia që bëhet lesh, po edhe leshi i mjekrës iu bëhet më i gjatë se i imi. Kështu është bashkia. Hiq bashkinë, është si të heqësh gruan nga shtëpia.
E pastaj vijnë plehrat rrugës siç vinin këtu. Kur kaloja nëpër këto zona, era një çikë të frynte, vinin letrat, përplaseshin te xhami i makinës. Plehra nga të katërta anët. Kush do t’i pastrojë? Bedriu? E imagjinoni ju Bedriun duke pastruar? Nuk ndodh!
Bashkia është për çerdhet, për kopshtet, për shkollat për t’i bërë më të mira. Kush t’i bëjë? Bedriu? Nuk është punë për Bedriun kjo. Puna është që këta janë “Bedri” në tru, se po të kishin zotësi do të na e tregonin. Të na tregojnë një bashki që në ’92-shin, që kur ka zgjedhje vendore, të na tregojnë, “kemi pasur këtë bashki dhe ja si e kemi bërë. Kemi pasur këtë komunë dhe ja si e ndryshuam”. Nuk ka një! Dy gjëra bëjnë këta, o futen aty ja fusin gjumit, ata janë më të parrezikshëm, po prap, sikur të flejë grua gjumë ditë-natë në shtëpi. E imagjinoni çfarë bëhet? Ose këta shkatërrojnë!
E vetmja bashki që e kanë pasur që në ’92 deri tani është Shkodra. Shihni Shkodrën! Shkodra është akoma siç kanë qenë bashkitë e tjera përpara se të vendosnim ne dorë dhe jo të vendosnim dorë, por të ngulnim këmbë, duke bërtitur me gishta në vesh, pastrim, pastrim, pastrim që u vu një lloj rregulli e tashmë Shqipëria nuk është më pis, e bashkitë tona nuk janë më pis edhe pse ka probleme akoma, po Shkodra është siç ka qenë përpara. Siç ka qenë Klosi, me kazanët plot me plehra. Plehrat që mbulojnë kazanët dhe me ditë të tëra presin Bedriun. Nuk bëjnë dot!
Në Tropojë na u dha mundësia njëherë ne se ikën ata, këto katër vite kemi bërë në Tropojë më shumë punë se 400 vjet. Po ia dhanë prap atyre, prap do bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë. Nuk dinë të bëjnë asnjë gjë tjetër. Plus, ka një gjë tjetër se këtu është çudi e madhe me këta që thonë, “jam i djathtë”. Po pse je i djathtë? Për çfarë je i djathtë? Kryesisht janë të djathtë, sepse kanë pasur stërgjyshin me Zogun, kanë pasur stërgjyshin me Ballin, kanë pasur familje të persekutuar e të tjera. Unë i kuptoj shumë mirë. E kuptoj jashtëzakonisht mirë këtë gjë. Është shumë e mirë kuptueshme, por një gjë di të them. Nuk ka stërgjysh në varr që mund të kalojë qetësisht natën e 14 majit nëse stërnipi shkon dhe ia jep votën Like Floririt. Nuk ka stërgjysh të djathtë që të rrijë, që të mos rrotullohet 7 herë në varr kur stërnipi të shkojë në emër të stërgjyshit, të persekutimeve, të plagëve e të tjera e të shkruajë aty “bashkë fitojmë” me Like Floririn se Liken keni. Kjo është ta shkatërrosh fare gjithë atë që ka lënë amanet stërgjyshi.
Të jeni të sigurt që stërgjyshët e këtij vendi që sot nuk janë këtu, por na shohin nga lart, të djathtë e të majtë as nuk kanë pikë dyshimi që Valbona është zgjedhja e duhur. Me Bedriun dhe me Like Floririn edhe varret do t’ua mbulojnë ferrat stërgjyshërve. Pastaj ka dhe një gjë tjetër. Ata stërgjyshët, të djathtët kanë qenë denbabaden me Amerikën. Nuk e kanë negociuar ndonjëherë Amerikën. Nuk e kanë negociuar ndonjëherë Perëndimin. Të thotë Amerika, “more zotëri është i padëshirueshëm ky për mua”- e ti thua, “jo s’ka rëndësi se unë jam këtu”. Po ku je ti? Po pa Amerikën ne nuk do të ishim këtu sot. Shqipëria që është sot e ulur në Këshillin e Sigurimit me të gjitha fuqitë e mëdha në Kombet e Bashkuara, e keni parë në televizor kur del ambasadori jonë, Shqipëria një vend shumë i vogël është atje me 15 vende të tjera në organizatën më të madhe. Po si ndodh kjo? Mos jemi ndonjë superfuqi ne? Jo ne nuk jemi superfuqi. Ne jemi një vend shumë i vogël. Jemi vend jo i zhvilluar sa ata të tjerët, por ne kemi ditur të vendosim dinjitetin tonë në vend. Kemi ditur që kur të ulemi në tavolinë të na trajtojnë si të barabartë. Kemi ditur t’i lëmë vend vetes, të na respektojnë, të na besojnë, të na mbështesin dhe ja ku jemi sot. Si mendoni ju? Mendoni ju që i vjen mirë atyre që ka disa ‘stropio’ nga mendja e kokës që shkojnë e vazhdojnë me nongratën? A jeni në vete apo jo? Nga një anë nongrata, nga një anë Like Floriri, unë nuk e di çfarë e djathte është kjo. Kjo s’është e djathtë. Ky është si ai djathi me vrima me myk që nuk hahet. Është helm!
Prandaj grave të pranishme dhe gjithë grave të Klosit iu them, ju duhet ta shpëtoni Klosin nga ata që nuk dallojnë dot Valbonën me Bedriun. Është problem shumë i madh. Duhet ta shpëtoni Klosin nga burrat që nuk e kanë fare idenë se në çfarë kohe jetojmë, me çfarë po merremi e ku po shkojmë. Duhet t’i jepni Klosit mundësinë njësoj si Dibrës, Bulqizës, Matit, gjithë Shqipërisë që të vazhdojë të shkojë përpara dhe përpara ka vetëm me ne! Jo se ne kemi rënë nga qielli, s’kemi bërë gabime. Kemi bërë dhe ne gabime, kemi bërë dhe ne gjëra që unë nuk jam krenar, po kjo punë është shumë e thjeshtë.
Në 14 maj do shkosh të vendosësh kë do të marrësh në punë për 4 vjet që të të bëjë hyzmet. Kush do të të bëjë hyzmet, Bedriu? S’ka shans! Është njësoj si të blesh kalë për karrocën, për ta tërhequr. Kalë për të tërhequr karrocën tuaj është vetëm Partia Socialiste dhe këtë e keni me garanci se jua thotë krye-kali këtu. Qentë le të lehin, vendosini kalin karrocës, hipni në karrocë, vazhdojmë rrugën! Ndryshe ngelët mbrapa e nuk iu ndihmojmë dot! Me Bedriun nuk bashkëpunojmë dot fare, nuk ka mundësi, se Bedriu është ne botë tjetër.