Amfiteatri i Durrësit, monumenti 2700 vjeçar, më i madhi që romakët ndërtuan jashtë Romës, do të vazhdojë të zbulohet më tej, me shumë kujdes, si një zemër e hapur e Durrësit antik dhe modern, falë projektit për rivitalizimin e tij, besuar arkitektit të mirënjohur Stefano Boeri.
Ky projekt tejet i rëndësishëm me impakt të drejtpërdrejtë në turizëm dhe ekonomi, është fryt i bashkëpunimit të suksesshëm mes qeverisë dhe bashkisë së Durrësit për hartimin e një vizioni të ri për Durrësin, si qytet me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor. Projekti u prezantua këtë mbrëmje në mjediset e Amfiteatrit, nga arkitekti Stefano Boeri me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, Ministres së Kulturës Elva Margariti, Kryetares së Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe qytetarëve durrsakë.
Fjala e Ramës:
Shumë faleminderit! Dua vetëm të nënvizoj kënaqësinë dhe njëkohësisht mirënjohjen për gjithë këtë ekipin e projektit sepse realisht ky është një projekt jashtëzakonisht sfidues, me shumë kompleksitet dhe është një projekt i cili vetvetiu është projekt afatgjatë, pasi për jo vetëm arsye financiare, por edhe për arsye të ngadalësisë që imponon ecja si mbi vezë kur i thonë fjalës, për shkak të gjithë kësaj pasurie që është ende e mbuluar dhe duhet zbuluar me shumë kujdes, ashtu sikundër edhe për shkak të domosdoshmërisë së qasjes së butë dhe me përfitim patjetër e jo me humbje, për banorët dhe të zotët e godinave që rrethojnë amfiteatrin. Pa diskutim ky është një projekt që nga njëra anë na garanton vazhdimin e punës së nisur disa vite më parë me zbulimin e një pjese të kësaj pasurie kolosale, por shtrihet në vazhdim si një projekt i një gjenerate dhe përbën një pasqyrë të një ambicie shumë të madhe sepse realisht ecuria e këtij projekti do të jetë një tjetër element shtysë për ekonominë, për turizmin, për artin, për kulturën, jo thjesht të qytetit të Durrësit, por në nivel kombëtar.
Ajo që e bën Durrësin gjithmonë e më të rëndësishëm në hartën e zhvillimit të përgjithshëm të vendit tonë, është fakti se Durrësi për shkak të pozicionit, për shkak të potencialit, për shkak të trashëgimisë, ka një peshë specifike që do të shkojë duke u rritur, me impaktin kombëtar në të gjithë nivelet e prandaj investimet në Durrës nuk janë investime thjesht në një zonë të kufizuar në një bashki, pro janë investime që sjellin impakt shumë më të gjerë se sa impakti në vetë bashkinë e Durrësit. Sigurisht që kjo i bën qytetarët dhe banorët e Durrësit përfitues të drejtpërdrejtë dhe kryesorë, por pa diskutim kjo sjell dhe një përfitim të madh për gjithë të tjerët që nuk janë qytetarë të Durrësit e që nuk banojnë në Durrës.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është rritja eksponenciale e vlerës së pronës në Durrës, e cila ka filluar të ketë një rritje të veçantë krahasuar dhe me vendet e tjera, përfshirë dhe Tiranën, gjithmonë në raportin me vetveten, për shkak të projektit të portit turistik, por ky është vetëm një element shumë i rëndësishëm, shumë i fuqishëm, që do të rrisë vlerën e pronës së gjithë banorëve të Durrësit, ndërkohë që projekti i amfiteatrit është një tjetër elemente të gjitha projektet e tjera që ne po bëjmë kanë peshën e tyre specifike në rritjen e vlerës së pronës. Ashtu sikundër edhe projektet kulturore edhe programi i terreneve sportive do të luaj një rol të rëndësishëm në rritjen e vlerës së pronës sepse në Durrës do të zgjerohen në mënyrë të vazhdueshme arteriet e qarkullimit të gjithë energjisë së organizmit të qytetit dhe do të bëjnë që banorët e Durrësit, ose kërkesa për banim në Durrës të shkojë duke u bërë gjithmonë e më e lartë e patjetër edhe vlera e pronës të rritet.
Elementi i tretë dhe i fundit e nuk dua të zgjatem se nuk dua t’ju lodh më shumë se peshën kryesore në këtë prezantim është normale që ta mbajë vetë prezantimi i projektit, është dimensioni i artit dhe i kulturës. Ne kemi pasur jashtëzakonisht shumë dëshirë që të bëjmë shumë më tepër për sportin, kemi bërë aq sa kemi mundur sepse siç e kam thënë e përsëritur e siç e dini vetë nga eksperienca juaj, pengesat që kemi hasur kanë qenë të jashtëzakonshme, të befasishme dhe na kanë detyruar që të bëjmë spostime masive, jo vetëm të vëmendjes, por edhe të fondeve e vetëm tani na është dhënë mundësia që të hedhim një hap të rëndësishëm për projektin e sportit.
Ndërkohë që e njëjta gjë vlen për artin e për kulturën. Këtë vit kemi në fakt një financim që është më i larti i të gjitha viteve për kalendarin e artit e të kulturës gjatë sezonit turistik, në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ku Durrësi zë vendin kryesor, një program i cili është realizuar dhe është bërë gati nga bashkëpunimi i Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe Ministrisë së Kulturës ku atë rolin e organizatorit e të realizuesit të programit e ka Agjencia Kombëtare e Turizmit, por ky është vetëm fillimi i një përpjekjeje që do të synojë që çdo vit të rrisim hapësirën e peshën e aktiviteteve kulturore e artistike të të gjitha natyrave, duke i dhënë mundësi banorëve të qyteteve kryesore si fillim, që të kenë akses më shumë, por duke e çuar artin e kulturën edhe në pikat më periferike.
Sapo kemi, për shembull, sot duke parë sheshin në Durrës, po mendoja për një program që po bën Ministria e Kulturës për Operan. Kemi marrë një skenë ultramoderne të lëvizshme të Operas e qëllimi është që të sjellim premierat e Operas kombëtare edhe në sheshet e qyteteve të tjera e të kenë mundësi shumë më tepër qytetarë që të konsumojnë edhe këtë lloj produkti në një mënyrë më të relaksuar e në një mënyrë më të aksesueshme. Ky është vetëm një shembull.
Kam shumë besim që sot po hedhim një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm me projektin, puna do të fillojë shumë shpejt. Projekti nuk është vetëm ky, projekti ka dhe komponentin tjetër që është ri konceptimi dhe rikualifikimi urban i rrugicave rreth e rrotull, i godinave në pjesën e pasme të atij bulevardit kryesor, që janë godina me një vlerë të caktuar historike e natyrisht kjo gjë do të bëhet nën kujdesin e bashkisë së Durrësit, në bashkëpunim me Fondin Amerikano-Shqiptar, se gjithmonë ose lë amerikanët ose lë shqiptarët jashtë këtij ekuacioni ndërkohë që këtu amerikanët e shqiptarët janë bashkë, domethënë Fondi Amerikano-Shqiptar për Zhvillim që është një partner jashtëzakonisht i rëndësishme strategjik i qeverisë sonë, i bashkive tona e që futet në Durrës në mos gaboj për herë të parë, pas disa eksperiencash shumë të suksesshme në disa bashki të tjera.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe paçi një mbrëmje të bukur në vijim!