Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me sipërmarrës të sektorit privat në Bulqizë, ku theksoi se rritja e pagave të punonjësve, është një prioritet kombëtar i përbashkët.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se është domosdoshmëri që edhe sektori privat të bashkëpunojë në këtë drejtim. Kryesocialisti ka marrë si shembull një prej fasonerive të Bulqizës, me eksperiencë të suksesshme në politikat e rritjes së pagave dhe trajtimin me dinjitet të punonjësve.

“Unë kam pasur gjithmonë bindjen që këto zona, pavarësisht se janë zona ku kur ti vjen shfaqen vetëm burrat, në fakt këto zona gjithë energjinë që i mban dhe i shtyn përpara e kanë nga gratë, e kam bindje këtë dhe nuk ma luan dot asnjë burrë dhe të gjithë burrat bashkë po të bashkohen.

Tek divizioni, duam të bëjmë një tjetër pikë ku të punësojmë të tjera gra. Këtu ka gra që merren me prodhimin e brumit, që kanë një aftësi të veçantë në pjesën që ka të bëjë me ushqimin dhe po ashtu kemi program të ri tani. E kemi pasur, por tani e kemi fuqizuar. Kemi bërë disa prova shumë të suksesshme lart në Dibër dhe në disa zona të tjera. Atje tek “Dashuria” për shembull, që është një, besoj e dini, një pikë e cila është krijuar duke e mbështetur atë zonjën për të bërë një bujtinë dhe kështu duam të mbështesim grupe grash apo bashkime grash që orientohen drejt një sektori apo një sektori tjetër, në mënyrë që të kenë një të ardhme të rregullt, të kenë një të ardhme të sigurt dhe sigurisht të kenë një punë e cila të jetë një punë më pak e rëndë. Nuk ka punë të lehtë, por të jetë një punë jo aq e rëndë sa selektimi i kromit, që me thënë të drejtën tregon për forcën tuaj, por edhe për dobësinë që kemi pasur ne të gjithë për shumë vite në raport me nevojën për t’iu dhënë juve më shumë mundësi.
Të jeni të bindura që kjo që ka filluar këtu me këtë punishte të vogël dhe që do të zgjerohet në vijim është vetëm fillimi i një faze të re transformimi”- tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë rikujtoi se brenda prillit të 2025 paga minimale do të shkojë 45 mijë lekë.
“Rritja e pagës minimale ku faktikisht, në atë 40 mijë lekëshin, pjesën e diferencës që ka të bëjë me sigurimet tuaja shoqërore, me sigurimet tuaja shëndetësore do ta paguajë qeveria. Prapë është një hap përpara për të sjellë më shumë të ardhura tek familjet që kanë njerëz të punësuar me pagë minimale. Do rritet përsëri vitin tjetër dhe brenda prill 2025 do e çojmë 45 mijë lekë, mbase dhe më shumë, por 45 mijë lekë nuk diskutohet. Ndërkohë që patjetër do të shohim sesi mund t’iu mbështesim edhe më shumë për rastet kur keni fëmijë të vegjël e kështu me radhë”- u shpreh ndër të tjera Rama.