DIMAL- Partia Socialiste vijon turin e takimeve me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit. Pas Kuçovës, kryeministri Edi Rama u ndal në Dimal duke prezantuar Juliana Memajn për këtë bashki. Ai u shpreh se vota për Julianën, është votë për zhvillimin e mëtejshëm e Bashkisë së Dimalit.
“Besoj që ju e dini, që Juli, është një person i veçantë për kokëfortësinë që ka. Ajo që ka rëndësi për mua, është që kjo kokëfortësi, kur është e gjitha në dispozicion të punës vërtet që prish nerva rreth e rrotull, por në fund ia vlen se jep rezultat për punë. Puna e saj flet më shumë së çdo gjë tjetër”, u shpreh Rama.
Mes batutash, kryeministri u kërkoi grave të Dimalit të mbajnë mbyllur burrat e tyre, që mendojnë që votën e tyre ta çojnë më 14 maj për dyshen Meta-Berisha. Sipas Ramës, më 14 maj, rezultati i zgjedhjeve do jetë shumë i thellë në favor të Partisë Socialiste.
“Ta kyçin brenda, të lajnë xhamat ata që duan të votojnë për faqen e zezë. Atë ditë, të dielën të kos dalin nga shtëpia. Të bëjnë byrekun gati, edhe të presin rezultatin, të mbajnë dhe një shishe ujë që mos t’ju ngec byreku në fyt, sepse rezultati do jetë me spektakolar si asnjëherë tjetër”, u shpreh Rama.