06 Maj, Tiranë- Personeli shëndetësor ka marrë pagat e reja me rritjen historike për mjekët specialistë. Mjekët e poliklinikave të Tiranës janë shprehur entuziastë për pagat e reja me +50 mijë lekë, duke e konsideruar vlerësimin më të madh ndër dekada.
“Jemi të nderuar që ndajmë me ju lajmin shumë të mirë për rritjen e pages, ne kemi përfituar një rritje page me 50 mijë lekë të reja. Ky ka qënë një lajm shumë i mirë, për familjet tona, për ne personalisht, për fëmijët tanë, për shërbimin që ne ofrojmë, për faktin që më në fund u ndjem të vlerësuar”,- tha mjekja okuliste Dr. Rezarta Shkurti.
“Dua të them që jam shumë i kënaqur për mbështetjen dhe suportin financiar qe po jep qeveria shqiptare i cili tanimë është një premtim i mbajtur dhe ne jemi shumë të kënaqur, por mbi të gjitha të motivuar për të shërbyer me pasion e përkushtim qytetarëve të Republikes së Shqipërisë”,- tha mjeku kardiolog Dr.Elton Qeli.
“Shumë të lumtur dhe të gëzuar për rritjen e pagave të mjekëve specialistë. Falenderojmë qeverinë Rama për këtë nismë që tashmë u bë një realitet”,- tha dr. Alketa Mici nga Poliklinika e Specialiteteve Nr.2.
“Jam shumë e lumtur në fakt për këtë rritje page që na është bërë, sepse kemi kaq vite dhe nuk na është bërë një rritje kaq e madhe”,- u shpreh Dr.Mirela Hitaj.
“Për të thënë të drejtën të gjithë ne mjekët specialistë jemi gëzuar me rritjen e rrogës sepse kjo jo vetëm na jep më shumë dinjitet në punën tonë, por na afron dhe me pagat me tanë në rajon”,- tha Dr. Rubin Topi nga Poliklinika e Specialiteteve Nr.1.
Nga rritja e pagave sipas planit në sektorin e Shëndetësisë përfitojnë mbi 22 mijë mjekë, infermierë, stafe administrative në strukturat shëndetësore. Ka hyrë në fuqi rritja e pagave me 50 mijë leke në muaj për mjekët specialistë si dhe rritja me 7% për mjekët e familjes dhe infermierët. Gjithashtu edhe rritja e pagës me 25-50% për punonjësit e adrministratës shëndetësore.