08 Maj, Tiranë- Personeli shëndetësor ka marrë pagat e reja, me rritjen historike për mjekët specialistë. Mjekët e Spitalit Universitar të Traumës janë shprehur entuziastë për pagat e reja +50 mijë lekë, duke e konsideruar vlerësimin me vizion për të ardhmen.

“Për hir të së vërtetës një rritje e tillë page, në të tilla përmasa nuk ka ndodhur kurrë më parë sepse që të realizosh një vlerësim të tillë duhet të kesh guxim dhe vizion për të ardhmen”- tha shefi i Shërbimit të Sëmundjeve të Brendshme, Dr. Fatos Jaho, mjek neuropsikiatër.

“Vendimi i qeverisë për rritjen e pagave na bën që të përkushtohemi akoma më shumë në këtë detyrë fisnike që ne kemi”,- tha shefja e Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit Dr. Rexhina Sturçe.

“Është një nga vendimet më të rëndësishme të marrë gjithë këto vite në Shqipëri, i cili tashmë është i prekshëm”,- tha dr. Bledi Masati, kirurg i përgjithshëm në SUT.

“Rritja e pagës është një stimul shumë i madh për të gjithë armatën e mjekëve, për të cilën falenderoj qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për këtë vlerësim”,- u shpreh Dr. Merita Luka mjeke gastrohepatologe, në SUT.

Nga rritja e pagave sipas planit në sektorin e Shëndetësisë përfitojnë mbi 22 mijë mjekë, infermierë, stafe administrative në strukturat shëndetësore. Ka hyrë në fuqi rritja e pagave me 50 mijë leke në muaj për mjekët specialistë si dhe rritja me 7% për mjekët e familjes dhe infermierët. Gjithashtu edhe rritja e pagës me 25-50% për punonjësit e adrministratës shëndetësore.