“Pas investimeve që kemi bërë në rikonstruksionin e rrugëve kryesore, do të nisim punën për të gjitha rrugët dytësore së bashku me ndriçimin dhe gjelbërimin e tyre”. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, në takimin e zhvilluar me banorë të Durrësit të Ri.
Kryebashkiakja Sako tha se: “janë 52 rrugë dytësore që janë evidentuar për t’u rikonstruktuar, ndërsa 8 rrugë të tjera që janë duke përfunduar, do të jenë me ndriçim dhe gjelbërim. Në këtë mënyrë ne po investojmë në të gjitha blloqet e banimit në këtë zonë, të shoqëruar me të gjithë elementët e duhur, siç janë sinjalistika, ndriçimi dhe gjelbërimi”. Sako shtoi se në zonën e Durrësit të Ri janë bërë shumë rrugë, si Shkumbini, Tepelena, Danubi, Shën Pjetri, Papa Klementi, Drenica etj. Ne së shpejti nisim punë edhe për rikonstruksionin e shkollës “Dom Nikoll Kaçorri” së bashku me palestrën e re dhe në 15 maj do të nisim pikërisht këtu punën për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar me të tjera investime të rëndësishme.”
Kryebashkiakja Sako shtoi se do të rehabilitohet shumë shpejt kanali i madh tek rruga “Azem Hajdari” dhe “Vala e Detit”, zonë në të cilën bashkia po punon që edhe kanalizimet të jenë të ndara, veç ato të ujërave të shiut, dhe veç ato të ujërave të ndotura. Këto investime do të shoqërohen edhe me gjelbërimin e rrugëve dhe korsi të dedikuara për biçikleta. Edhe në zonën e Durrësit të ri janë evidentuar hapësirat publike që do të rehabilitohen në funksion të fëmijëve dhe moshës së tretë, ndërkohë që do të ketë investime edhe për terrenet sportive.
Në takimin me banorët e zonës, kryebashkiakja Emiriana Sako ka treguar edhe bisedën me një banor, i cili ka qenë i shqetësuar pas njoftimeve të opozitës se bashkia do të shembë shtëpitë e tyre. Sako tha se: “këto janë përpjekje sa dashakeqe, aq edhe injorante e një personi që nuk ka një vizion për Durrësin e Ri, e një personi që nuk ka asnjë plan apo projekt për t’iu thënë banorëve. Ai ka 6 muaj që di që është kandidat për bashkinë, por ska asnjë program, edhe juve ju quan banorë të Kënetës. Kjo është një gënjeshtër e radhës e tyre, se kemi 2-3 muaj që jemi mësuar me këto gënjështra. Unë po ju them se bashkia nuk ka asnjë plan për të prishur shtëpi, bashkia nuk shemb shtëpi, por punon për të ndërtuar rrugë, për të ndërtuar shkolla, kopshte, për të vendosur ndriçimin e rrugëve, pastrimin e qytetit etj. Ne jemi në anën e banorëve dhe do të jemi ndihmë për ju që këtu të përfundohet procesi i legalizimit të banesave dhe do të ndërhyjmë pranë qeverisë që ky proces të mbarojë sa më parë. Kjo nuk është një zonë e margjinalizuar, por një zonë që po zhvillohet. Plani rregullues i bashkisë nuk shemb ndërtime, por plani rregullues nuk lejon ndërtime mbi kanale apo kolektorë. E gjithë përpjekja e tyre është një gënjeshtër, prandaj në 15 maj ne do e fillojmë punën së pari në këtë zone me investime të shumta në rrugë, shkolla, ndriçim, hapësira të gjelbëra”.