Godina e sarajeve të Toptanëve do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës. Në prezantimin e projekt-idesë ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kujtoi se pak kohë më parë kjo godinë u shpëtua nga zjarrvënia.
“Në 17 gusht 2021, një nga punonjësit e Policisë Bashkiake raportoi se kishte parë një person, i cili ishte futur nga dera e pasme dhe kishte hedhur një shishe me benzinë, duke thyer xhamin e godinës. Dy minuta nga raportimi, zjarrfikësja e Tiranës shuajti zjarrin e asaj që mund të kishte patur fatin e shkollës ‘Kosova’. Më vjen mirë që nga incidenti, që fatmirësisht u shua nga zjarrfikësit në dy minuta, qyteti përftoi një pronë publike, që sa të jetë jeta do të jetë pronë e bashkisë, e qytetit dhe e qytetarëve të Tiranës”. Ky projekt ka për qellim rijetësimin e godinës që do të ruajë vlerat kulturore dhe tradicionale të qytetit,
“Çfarë është identiteti? Se ka shumë njerëz që thonë duam identitetin e Tiranës. Përgjigja e saktë është: Varet kë pyet! Se për disa identiteti i Tiranës është shtëpia me puse e caracë dhe më vjen mirë që këtu do të riaktivizohet edhe pusi, edhe caraci. Por, prapë varet kë pyet, se disa të tjerë nuk e lidhin identitetin e Tiranës me pusin, caracin, por e lidhin si ‘Ali Demsa’, ‘Xhamlliksa’, ‘Lapraksa’. Për disa gjëra ne kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Kur vjen puna për faktet janë të gjitha kokëfortë: Një ndërtesë e tillë përfaqëson identitetin e Tiranës, meritonte të shpronësohej dhe të kalonte në pronësi të Tiranës”,-tha Veliaj.
Koncepti për Muzeun është frymëzuar nga tradita e Tiranës.