Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë përpjekjet që të përshpejtohet rruga drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 13 maj, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja amerikane tha se nga normalizimi i raporteve do të përfitonin qytetarët e të dyja shteteve.

“Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i ndihmojë po ashtu normalizimit të raporteve dhe me këtë zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, tha Power.

Power tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe që mbështetet nga SHBA-ja, është rruga e duhur që duhet të ndjekin të dyja shtetet. Ajo tha se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë proces, teksa agjencia që ajo udhëheq, USAID, po ashtu do të vazhdojë të investojë në Kosovë.

Power ka qëndruar në Kosovë për dy ditë dhe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun me Serbinë.

Pas takimit me Kurtin ajo ka deklaruar se SHBA-ja është e përqendruar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që synon të çojë palët drejt normalizimit, duke theksuar se qëndrimi i Uashingtonit gjithmonë ka qenë që ky proces duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër arritën Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por dokumenti prej 11 nenesh kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.