Kryeministri Edi Rama tha se duhet bërë maksimumi për të shlyer besimin që qytetarët e Shkodrës i dhanë PS-së duke zgjedhur Benet Becin si kryebashkiak. Ai tha se duhet edhe një vlerësim i burimeve njerëzore në bashkinë e Shkodrës s ai takon stafit të personave që janë në punë në bazë të meritës.
Ndërsa nuk kurseu batutat me Benet Beci, për të cilin tha se ishte i bindur se kishte votuar për PD-në edhe kur ishte në listat e deputetëve të PS-së.
“Unë e kam ndjerë në 8 fushatat e mëparshme se mendja e shumicës ishte e mbyllur, nuk kishte hapësirë për të lënë mesazhin aty. Zemra rrihte vetëm djathtas. Prandaj në mënyrë të përsëritur vota shkoi vetëm në një drejtim. Këtë herë, pjesa që ka bërë diferencën na ka votuar me mendje jo me zemër. E kemi detyrim dyfish që këtë investim që njerëzit kanë bërë, ta kthejmë në një investim ose në një shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt. Që nga mënyra sesi Beneti do qeverisë bashkinë. I kam thënë sot që bashkia e Shkodrës do jetë bashkia e të gjithëve dhe këtë duhet ta reflektojë jo thjesht me faktin që investimet bëhen për të gjithë por që duhet një vlerësim i të gjithë atyre burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës do ndahen të gjitha. Është e rëndësishme Benet, që ti mos ta harrosh se je demokrat. Unë besoj, që Beneti ka votuar për veten dhe për PS-në. Ndërkohë që e vë dorën në zjarr që deri kur ishte në listën e deputetëve ka votuar PD-në. Kjo duhet të të shërbejë tani nëse pas 4 vitesh do të kesh një shans tjetër” – u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.