Bashkia malore e Skraparit në Shqipërinë e jugut është një zonë ku popullsia po pakësohet me shpejtësi. Regjistri i zgjedhësve numëronte gati 15 mijë vetë në këtë zonë në vitin 2011, ndërsa më 2013, ka diçka më shumë se sa 13 mijë. Pjesëmarrja në votime, e cila shërben si matës indirekt i emigrimit, ka rënë nga 9 mijë, në 7 mijë. E megjithatë, shumica dërrmuese e rënies së numrit të votuesve është gërryer nga mbështetësit e opozitës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në territorin e kësaj bashkie, socialistët arritën të fitonin 51% të votave, një diferencë komode kjo në raport me dy partitë e opozitës aktuale, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat morën vetëm 42%.
Skrapari ka qenë një krahinë mbështetësish të fortë të Partisë Socialiste pavarësisht se në të shkuarën, nga gjiri i saj ka pasur gjithashtu edhe ballistë. Në zgjedhjet e vitit 2015, kur Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim garuan bashkë, Skrapari dha 85% të votave për këtë koalicion, ndërsa në lista për këshillet bashkiake, LSI mori 57%. Skrapari është një bashki që dukshëm ka pëlqyer Ilir Metën kur ky i fundit ka garuar majtas, ndërsa fakti që Meta ka lindur atje nuk ngjan se ka mjaftuar kur ai garoi në opozitë me socialistët më 2021.
Votuesit në Skrapar pritet të zgjedhin më 14 maj mes kryetarit aktual të bashkisë, Adriatik Memës, i cili më herët ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes në pozicione të ndryshme civile, dhe Euglen Mustafallarit, kandidat i Koalicionit Bashkë Fitojmë.
Shtatë parti garojnë për 15 poste të Këshillit Bashkiak. Në listat e tyre gjenden 114 kandidatë.
Skrapari shtrihet në 831 kilometra katrore në një terren të thyer malor. Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Çorovodë, Qendër Skrapar, Bogovë, Vëndreshë, Çepan, Potom, Leshnje, Gjerbës dhe Zhepë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Skrapar dhe pjesë e qarkut Berat. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 106 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu. Bashkia ka një densitet të ulët të popullsisë dhe rrjet rrugor të kufizuar. Qyteza e Çorovodës u ndërtua në funksion të industrisë ushtarake gjatë kohës së komunizmit. Aktualisht ajo ka një fabrikë të vogël fason ndërsa krahina merret edhe me shfrytëzimin e gurit dekorativ. Gjatë viteve të fundit, zona është bërë tërheqëse për turistët e natyrës me kanionet e Lumit Osum.