Sipas një anketimi të kryer nga gazeta e njohur “Washington Post” dhe televizioni kombëtar “ABC News” nëse zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbaheshin sot, Donald Trump do të fitonte me 7% më shumë se sa presidenti Joe Biden, 49%-42%.
Anketimi hedh dyshime mbi vendosmërinë e shumë demokratëve për të vijuar me presidentin Biden edhe për katër vite të tjera. Një nga pengesat kryesore është pikërisht mosha e tij.
Të pyetur për kthejlltësinë mendore të presidentit, i cili mbushi 80 vjeç nëntorin e kaluar, 94% e republikanëve, 69% e të pavarurve, dhe 21% e demokratëve u përgjigjën se ai nuk e ka më mprehtësinë e nevojshme për vazhduar punën si president. Tre vjet më parë, 51% e amerikanëve mendonin se Biden e ka mprehtësinë e duhur për të qenë President. Sot, ky numër ka zbritur në 32%.
Nga ana tjetër, 54% e të anketuarve mendojnë se ish-presidenti Trump e ka mprehtësinë e nevojshme mendore për të qenë president. Trump mbush 77 vjeç në qershor.
Sipas anketimit Biden do të humbiste po njësoj edhe kundër guvernatorit Ron DeSantis, i cili mendohet që të sfidojë ish-presidentinm Trump brenda Partisë Republikane. DeSantis do të fitonte 48%-41%. Por nuk është vetëm mosha e shëndeti mendor. Presidenti Biden po kalon përsëri një periudhë pakënaqësie për punën që po bën si president. Vetëm 36% aprovojnë punën që po bën, krahasuar me 42% në muajin shkurt.
Sipas anketimit, 44 % e votuesve kanë thënë se e kanë të sigurtë që do të votonin për republikanin Trump, kurse 36% thanë se me siguri do të votonin për demokratin Biden. 12% thanë se janë të pavendosur. Sigurisht, nëse këta 12% do t’u mbushej mendja të votonin për Presidentin Biden, situata do të përmbysej. Por sa ka vërtet mundësi Presidenti Biden të ndryshojë mendjet e njerëzve deri në nëntorin e vitit 2024?
Shumica e demokratëve dyshojnë nëse ia vlen të presin për një ndryshim të opinionit publik. Gjithnjë sipas anketimit. 58% e votuesve që priren të votojnë për demokratët duan tashmë një kanadidat tjetër për president nga Partia Demokrate. (Ruben Avxhiu)