Sali Berisha ka sinjalizuar se do të zbatojë detyrimin statutor pas humbjes shkatërrimtare në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke iu nënshtruar një votëbesimi në Këshillin Kombëtar të Foltores apo Rithemelimit. Pika 9 e nenit 46 të statutit të Foltores, miratuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 në stadiumin ‘Air Albania’, parashikon që kryetari i partisë, pas humbjes së zgjedhjeve vendore, duhet të votëbesohet në Këshillin Kombëtar. Dhe që të konsiderohet i votëbesuar Sali Berisha duhet të marrë jo më pas se 70 % të votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar që marrin pjesë në votim.

Pavarësisht kushtit të 70 % të votave, votëbesimi i Sali Berishës duket se do të jetë një proces formal, pasi Berisha kontrollon Këshillin Kombëtar të Rithemelimit, i cili ka një përbërje tjerë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zyrtare, tashmë pa një kryetar partie. Pasi shkarkoi Bashën dhe mori PD-në në dhjetor të vitit 2021, Berisha arriti të merrte edhe selinë e partisë si dhe të zgjidhte të besuarit e tij në Këshillin Kombëtar, edhe pse të gjitha këto veprime nuk janë njohur nga gjykata.

Pjesë e Këshillit Kombëtar që do të votëbesojë Sali Berishën, është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi si dhe ish ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, i implikuar në biznesin e vdekjes në Gërdec, për llogari të Shkëlzen Berishës. Pjesë e Këshillit është edhe Gazmir Spahia, administrator i medias së Familjes Berisha, i njohur edhe si shok i Shkëlzen Berishën. Spahia ka qenë drejtor i Tatimeve kur Berisha ishte në pushtet.

Për fatin e Berishës ka të drejtë të votojë Dasho Alikon, i proceduar nga policia në vitin 2014 si bashkëpunëtor i bandës së hashashit në Lazarat, bandë e cila bëri rezistencë të armatosur. Pjesë e Këshillit janë edhe Adriana Kalaja dhe Robert Budina të ‘kauzës’ së teatrit, si ish truproja i Berishës, Arben Ibro. Ky i fundit ka qenë edhe i SHIK-ut në kohën e Gazidedes, ku është lakuar si implikuar në zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ibro u shpërblye më vonë nga Berisha, duke u emëruar drejtor i OST-së dhe i Doganës së Durrësit.
Pjesë e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit janë gjithashtu Dorian Teliti, Klevis Balliu, Albina Deda, Apollon Baçe, Arben Ristani, Ardian Turku, Bedri Hoxha, Besart Xhaferri, Bledi Kasmi, Bujar Kapexhiu, Çlirim Gjata, Eno Bozdo, Floriana Garo, Florion Mima, Gazmend Dibra, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Ilir Alimehmeti, Ivi Kaso, Julian Deda, Mal Berisha, Suzana Guxholli,. Voltana Ademi etj., që të gjithë të besuar të Berishës./Adriatik Doçi-shqiptarja.com