Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, i cilëson sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si të orkestruara nga Serbia.
“Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi. Sulmet janë të orkestruara dhe dirigjuara nga Beogradi”, thuhet në deklaratë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se një zyrtar policor ka pësuar lëndime dhe tri vetura janë sulmuar në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan gjatë ditës së 31 majit.
Në komunikatën e Ministrisë së Brendshme thuhet se protestuesit nuk janë provokuar nga zyrtarët policorë.
“Sulmet e tilla janë të papranueshme. Këto grupe huliganësh po vijojnë të dëshmojnë se janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi që të destabilizojnë vendin tonë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme, ku theksohen edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve.