Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka thënë se Serbia duhet ta pranojë që Kosova është e pavarur dhe ta pranojë përfundimisht se Kosova nuk është serbi.
“Jo Kosova nuk është Serbi, kjo është punë e kryer”, ka deklaruar ai.
“Serbia duhet ta kuptojë dhe pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar as nga disa anëtarë të Bashkimit Evropian”, deklaroi të martën para gazetarëve Milanoviç.
Ai ka deklaruar se në samitin e NATO-s vitin e kaluar, ai u ka bërë thirrje vendeve evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë.
“Por, është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur, sepse i frikësohen precedentëve që përfundimisht, në ndonjë moment krize, në një rënie imuniteti, mund të zbatohen në vendet tyre dhe t’u merret diçka”, theksoi Milanoviç.