Zgjedhjet vendore të 2023 kanë sjellë risi në disa aspekte, si tipologjia e fushatës së aplikuar nga kandidatët, diferencat ndërmjet kandidatëve në mënyrën e të bërit të marketingut politik, komunikimit dhe mesazheve të përcjella. Një ndër risitë më të dukshme ishte minimizimi i përdorimit të mjeteve marketing si banderolat, flamujt, posterat, zyrat elektorale, etj.

Por ajo që ka tërhequr ndjeshëm vëmendjen është përmbysja e raporteve të votave, në zona të konsideruara tradicionalisht të djathta, si Rr. 5 Maj (Njësia 4), Lapraka (Njësia 11), Pazari i Ri (Njësia 8), etj.

Padiskutim zona elektorale më e nxehtë ka qënë ajo e Rr. 5 Maj dhe më specifikisht zona e Rindërtimit! Kjo zonë njihet si bastion historik i të djathtës dhe konsiderohej nga opozita si hambari i votave të djathta në Njësinë 4, bazuar kjo dhe mbi arsyetimin se pakënaqësia e qytetarëve është shtuar për shkak të prishjes së banesave të tyre në funksion të Rindërtimit. Pamjet e protestave masive në vitin 2021 janë ende të freskëta në memorien e qytetarëve.
Megjithatë, pamvarësisht këtyre dy faktorëve të rëndësishëm, kandidati i Partisë Socialiate, z. Erion Veliaj ka arritur të triumfoj bindshëm dhe përtej çdo parashikimi, duke marrë 21.3% vota më shumë se kandidati i Bashkimit për Fitore, z. Belind Këlliçi!

Për më tepër, ajo që në analizat politike dhe prognozën statistikore mund të konsiderohet e “pamundur” ka ndodhur me votat për Këshillin Bashkiak, ku subjekti PS ka marrë 50% vota më shumë se BF, ndërsa nga ana tjetër ka marrë 24% vota më shumë se BF dhe PD të mbledhura sëbashku!
Duke analizuar rezultatet e mësipërme është lehtësisht e konstatueshme, se mbështetësit e PS janë mobilizuar në mënyrë maksimale, por vota janë marrë edhe në zonën gri, apo kampin kundërshtar, duke përmbysur rrënjësisht raportet elektorale ndërmjet të majtës dhe të djathtës në këtë zonë.
Mesazhi i dhënë nga votuesit në këto zgjedhje është se ata i besojnë planeve afatgjata dhe të qëndrueshme të zhvillimit, sikundër edhe lidhjes së përhershme të të deleguarve politikë me zonën, jo vetëm në kohë fushate.