Zgjedhjet e 14 majit treguan se PSD e Tom Doshit ishte faktor pasi mori mandate për Këshilla Bashkiak në veri e jug të vendit duke lënë pas ‘BF’ e Sali Berishës. Por për Tom Doshin, nuk është e habitshme që Sali Berisha ka humbur cdo bastion të së djathtës sepse nuk është më perspektivë dhe kanë tradhti brenda tyre.
Në një intervistë për ‘Top Story’, Tom Doshi tha se Berisha përdor të njëjtën frazë sa herë që i preken interesat personale.
“Në momentin që i prek interesat, vetëm hedh baltë, hedh vrerë. Lul Brava është prurja e atij. Ai akuzon kot. “Më del hija jote mua”, thotë. Normal që hija ime do t’i dali atij sepse unë prej andej jam. Berisha i ka humbur të gjitha. Humbi Tropojën, humbi Shkodrën, humbi Vaun e Dejës. Ato i ka pasur bastionet e tij ai. Berisha s’ka ndonjë prespektivë. As partia, as ku janë pjesa tjetër e partisë. Ata kanë tradhti brenda llojit. Dhe për këtë njerëzit më votojnë dhe më besojnë mua. Unë nuk bëjë pazare në emër të votuesve”, tha Doshi.
Sa i përket shpalljes ‘non grata’ të Tom Doshit dhe Sali Berishës, kreu i PSD bën përgjegjës Lulzim Bashën. Ndërsa Berishën e këshillon që të krijojë parti ose të bashkojë demokratët.
“Sa ishte në pushtet, Berisha e çoi Bashën në të gjitha ministritë sepse e kishte ndër njerëzit më të besueshëm. Tani na dalka tradhtar ai. Të njëjtën gjë ka bërë Sali Berisha edhe me Ramiz Alinë. Ramizi e çoi si të besuar te studentët dhe ai e futi në burg. Unë kam pasur rastin të takoja Ramiz Alinë dhe e pyeta: – Po si ka mundësi të sillet Berisha me ty kështu. Unë nuk e njihja, më tha. “Ma pruri Xhelil Gjoni.” Pra të njëjtën gjë i bëri edhe Luli Berishës. Edhe këto në lidhje me mua, që jam person “non grata”, këtë gjë e ka bërë Luli me shok. Edhe mua edhe atij.
Por Berisha s’po më lë rehat, duhet t’i përgjigjem me se s’bën. Unë i bëj thirrje Berishës që:- Në radhë të parë bëj një parti njëherë, regjistroje në gjykatë, me qëllim që në mënyrë legjitime të zgjidhet kryetar partie. Ose të bashkojë PD-në, edhe pse s’ka gjë më terezi po të bashkohet me Lulin dhe atë pjesën tjetër. Por në këto kushte që është sot, është kthyer në një zëdhënës i një grupimi politik. S’ka asnjë tagër”- tha Doshi.
Kreu i PSD pretendon se Lulzim Basha, i cili ka qëndruar jashtë syrit publik gjatë fushatës së 14 majit, në të vërtetë ka mbështetur kandidatin socialist në Shkodër, Benet Becin vetëm që Sali Berisha të humbte edhe bashkinë e vetme që i kishte mbetur.
“Luli ka luftuar që Berisha të humbasë. Kemi rastin e Shkodrës, meqë Berishës i dhemb shumë Shkodra, e ka ruajtur si kala. Komisionerët e partisë së Lulzim Bashës i ka gjetur Partia Socialiste, se as komisioner nuk kishin. Ata kërkojnë përgjigjen brenda llojit, mos të vijnë ta kërkojnë te unë, as te PSD”, tha Tom Doshi.
FNga zgjedhjet e 14 majit rezultoi se forcë e parë në garën për këshillat bashkiakë, në 4 nga 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës ishte PSD e Tom Doshit. Por jo vetëm në Shkodër, PSD-ja e Tom Doshit arrin të thyejë PD-në Mirditë duke marrë më shumë këshilltarë ndërkohë që në kryeqytet PSD i heq PD-së mandatin në këshillin bashkiak. PSD arriti të sigurojë këshilltar në shumicën dërrmuese të bashkive në vend, duke arritur shifrën 114 këshilltarë në total.