Kryeministri shqiptar Edi Rama pritet të nisë javën e ardhshme një tur diplomatik në mbështetje të konkretizimit të idesë për Komunitetin Politik Evropian. Së pari, të martën dhe të mërkurën në kryeqytetin sllovak, Bratislava dhe më pas në atë moldav, Kishinau, së bashku me presidentin francez, Macron do të parashtrojë idetë e tij për të ardhmen e Evropës.
Pritet që viti 2030 të përcaktohet si afati përfundimtar ku Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së. Në Moldavi do të mbahet samiti i dytë i kësaj iniciative të ndërmarrë nga presidenti francez pas atij të mbajtur në kryeqytetin çek, Pragë.
Me këtë rast, 47 krerë shtetesh dhe qeverish nga Kontinenti i Vjetër do të takohen në kryeqytetin e Moldavisë. Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, ashtu si dhe shtetet nga Ballkani Perëndimor kanë gjasa që në fund të kësaj dekade të hynë në derën e Bashkimit Evropian. Agresioni rus ndaj Ukrainës i ka përshpejtuar këto zhvillime.
Brukseli ka sugjeruar lejimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të negociojnë rrugën e tyre drejt BE-së pjesë-pjesë, duke u mundësuar atyre të fitojnë nëpërmjet reformave të dukshme, akses të ndarë në tregjet dhe institucionet evropiane.