19 Maj, Shkodër- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka marre pjesë në turin e mirënjohjes të ndërmarrë nga Kryeministri Edi Rama që nisi sot nga qyteti i Shkodrës.
Manastirliu deklaroi se rritja e targetuar e pagave do të vijojë edhe per mjekët e përgjithshëm dhe infermierët.
“Mbi 1200 mjekët dhe infermierët që ushtrojnë shërbimin shëndetësor anë e kënd Shkodrës për të cilët është bërë fakt rritja e pagave prej 50.000 lekë të reja në muaj dhe është bërë realitet edhe rritja e pagave për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët prej 7%. Mjekët dhe infermierët do të kenë një rritje page të targetuar ne vitin 2024 me 20.000 lekë të reja për mjekët e përgjithshëm dhe 15.000 lekë të reja për infermierët”,- tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu foli edhe për investimet në sektorin e shëndetësisë në Shkodër, ku deklaroi se investimet nuk kanë ndalur për ta bërë spitalin e Shkodrës një qendër të ekselencës në zonën e veriut.
“Vetëm në qarkun Shkodër ne kemi investuar në transformimin e 24 qendrave shëndetësore dhe këtë vit 6 qendra të reja do të rehabilitohen në Shkodër, në Vaun e Dejës, Pukë edhe Malsinë e Madhe. Spitali i Shkodrës një prej spitaleve të akredituara sot, prej tetorit të 2022, ky spital mban çertifikimin. Duke qenë se ne kemi një ekip të mrekullueshëm në Shkodër, një ekip që performon dhe mbështet kaq mirë sistemin shëndetsor duke mundësuar që gati 98% e procedurave kirurgjikale që bëhen në Tiranë të bëhen në Shkodër sa i përket kirurgjisë dhe ne jemi krenar për ekipin tonë të spitalit të Shkodrës. Kjo ndodh sepse kemi inevestuar ne bllokun operator, në sistemin e spitalit dhe në pajisjet e reja. Kemi filluar edhe një investim të ri, investimin e poliklinikës së spitalit të Shkodrës që do të zgjerojë kapacitetet e shërbimit. Ajo çfarë duam të bëjmë është që ta bëjmë spitalin e Shkodrës një qendër të ekselencës në zonën e veriut dhe do t’ia arrijmë me mbështetjen e Kryeministri Rama”,- theksoi Manastirliu.
Turi parë i falenderimeve në vend, pas zgjedhjeve lokale të 14 majit, kryeministri Edi Rama dhe kabinetin qeverisë e bën në Shkodër, kur Partia Socialiste arriti fitoren historike me kandidatin Benet Beci.
Nga Shkodra, Kryeministri Edi Rama falënderoi votuesit që kanë votuar Becin, ndërsa u shpreh se rezultatin e konsideron sfidën më të madhe për të dhe Partisë Socialiste.