Ilir Yzeiri
Para disa ditësh, në një ambient të një librarie në Tiranë, u promovua romani « Balta » i autorit Kristos Amando Gezos, përkthyer nga Eleana Zhako. Kishte më shumë se një arsye për të marrë pjesë në këtë promovim. Në fillim ftesa e Eleanës dhe e Sokol Çungës që moderonte promovimin, pastaj kërshëria për të njohur një shkrimtar që kishte lindur në Himarë, me prindër himarjotë, por që ishte larguar në emigracion në Greqi qysh në moshën 4-vjeçare. I ati, Amandoja, kishte kryer Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe kishte punuar si agronom për disa kohë edhe në Tepelenë, do të më thoshte Kristoja më vonë. Ai vetë, këto ditë po qëndronte në Tiranë te një mik i ngushtë i të atit, me sa më kujtohet, me emrin Ymer.
Kristos nuk flet shqip, por u angazhua publikisht në atë takim që, kur të vijë herës tjetër, do të na flasë shqip. Në vitin 2013 ai ka fituar në Greqi « Çmimin kombëtar të autorit të ri ». Është vetëm 35 vjeç, por çmohet si një nga shkrimtarët më të mirë në Greqi dhe librat e tij po përhapen me shpejtësi edhe në Europë. Në shqip, librin e ka përkthyer Eleana Zhako, një tjetër emër i shkëlqyer i kulturës shqiptare që vjen nga zona e minoritetit. Eleana jeton në Bruksel, por ashtu, pa bujë e pa zhurmë, është kthyer sot në ambasadoren më të mirë dhe më të dobishme të afrimit të kulturës shqiptare me atë greke dhe europiane, gjithashtu. Ajo ka përkthyer në greqisht me një mijë mundime autorë shqiptarë të dalluar si Ardian Vehbiun, Fatos Lubonjën e të tjerë, por ka përkthyer edhe nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas. Ndërsa nga greqishtja ka sjellë në shqip autorë të shquar, si psh. Ricosin, por tani në fund edhe një roman të një shkrimtareje greke Kristina Frangeskaki me titull « Këtu është parajsa », që e rrëfen fatin e emigrantit shqiptar me një realizëm mjeshtëror dhe me një empati që nuk do ta kishte madje as edhe ndonjë autor shqiptar.
Eleana punon me një pasion të rrallë dhe, për fat të keq, institucionet shqiptare që harxhojnë miliona për idotësi të egocentrizmave provincialë, nuk dinë dhe nuk duan të mbajnë afër, të ndihmojnë dhe të krijojnë një fond të posaçëm jo vetëm për Eleanën, por për shumë Eleana të tjera që mund të ndihmojnë për të përkthyer letërsinë tonë në vendet fqinje dhe në botë, po ashtu. Po kjo është një temë tjetër. Për nevojat e emisionit tim « ADN » e lamë që me Kristosin dhe Eleanën të zhvillonim një intervistë. Ashtu bëmë, e realizuam atë intervistë dhe ajo do të shfaqet ditën e enjte, më 18 maj në RTSH 2, në orën 21, si gjithmonë. Në atë intervistë, por edhe në bisedën që zhvillova më pas me Kristosin dhe Eleanën mora vesh shumë gjëra. Isha kurioz të kuptoja pse Kristosi ishte aq i talentuar dhe çfarë trajtonte në librin e tij. Këtë e mora vesh menjëherë, sepse librin e tij « Balta » e lexova me një frymë që atë natë. Dhe mbeta vërtet i mrekulluar. « Balta » është një roman modern në kuptimin e plotë të fjalës. Ai nuk ka subjekt.
Është endja e personazhit në një areal rutinë ku heroi lëviz sa në një ambient në një tjetër duke u veshur herë si postier reklamash dhe herë si student. Por magjia e rrëfimit qëndron diku tjetër. Kristos arrin të rrëfejë të trija planet e ligjërimit. Ashtu siç na ndodh ne shpesh që pjesën më të madhe të refleskioneve e bëjmë me të folurin e brendshëm me atë mërmëritjen që nuk arrijmë ta kuptojmë se nga na vjen, që disa herë është një dialog i ndëprerë para disa vjetësh, ose që mund të jetë një monolog i harruar, po që ringjallet përsëri dhe të bën që ty të të vijnë në mend copëra bisedash, hamendjesh, kuturisjesh emocionale, apo gjithë ajo bota e nëndheshme që ne nuk arrijmë ta tregojmë e pikërisht këtë Kristos e rrëfen, e aktualizon. Për këtë ai përdor fjalitë e gjata me nënrenditje dhe, për të dalluar ligjërimin real nga të folurit e brendshëm, përdor dallimin grafik.
Ky i dyti shënjohet në libër me germa italike. Në këtë ligjërim, Kristosi dekonstrukton çdo gjë. Nuk është e vështirë të vësh re aty ankthin dhe të huajësimin ekzistencial që vjen prej Kamysë. Te heroi i Kristosit është po i njëjti fat: Kamy është algjerian dhe francez, por vetëm në ligjërim, në gjuhë, sepse dallimi ruhej. Edhe fati i heroit të « Baltës » është fati i një të huaji emigrant që me vendin ku jeton e lidh gjuha, kultura, por e largon identiteti i emigrantit. Ndaj ai dekonstrukton të gjitha mitet. Heroi në një çast vret babain dhe ti nuk e merr vesh nëse ai ka vrarë të kaluarën apo vepra është futur në labirintet e trillerit sipas modelit të Edgar Allan Po-es, Në fund, edhe heroi ynë kërkon të vrasë veten, por ti nuk e kupton nëse e ka bërë vërtet atë akt apo jo.
Një vepër që vërtet është shkruar bukur. Këto dhe të tjera u përpoqëm të tregonim në intervistën që realizova, por të tjera gjëra mësova pasi ndenjëm dhe u ulëm për të pirë një kafe të tre: unë, Eleana dhe Kristoja. Isha kurioz të dija më shumë për të dhe e pyeta se si ndihet me këto tri identitete: lindur në Shqipëri, pjesëtar i një komuniteti në Himarë që e ndien veten grek, tani qytetar i Greqisë dhe madje shkrimtar i njohur. Përgjigjja e tij ishte si ajo e heroit: njeri. Nuk më intereson shumë identiteti. Dua që grekët dhe shqiptarët të njohin më shumë njëri-tjetrin sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta ashtu siç kemi edhe të fantaksurit njësoj. Një prej atyre që e sheh Greqinë si qendër të botës e kemi edhe në parlament, më thotë Kristosi. Ndërsa ne i kemi me shumicë nëpër televizione, i them unë. Ai mban në dorë një shishe me ujë « Glina ».
Më pëlqen shumë thotë, por, kur shkoj në Himarë, miqtë më thonë pse pi atë ujë, kemi këtë tjetrin dhe më tregojnë një ujë me shkrim grek. Unë qesh dhe them po ç’punë ka uji. Po këtë bluzën e kuqe pse e mban, më thonë disa të tjerë. Pse, u them? E kuptoj që e kuqja është shenja që identifikohet me shqiptarët dhe përsëri qesh. Vjen biseda te zgjedhjet dhe Kristos, megjithëse nuk e zbulon votën, jam i bindur se nuk ka asnjë lidhje me atë frymë që përpiqet të mbahet gjallë nga fantazmat e së shkuarës.