Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një takimi me qytetarët e Vaut të Dejës, i kërkoi Zef Hilës, kandidatit të Metës dhe Berishës për këtë bashki që të mos tentojë të shpërndajë para për blerjen e votave.
Rama tha se raste të tilla nuk do të tolerohen, duke nënkuptuar rastin e arrestimit të Fredi Belerit në Himarë nën akuzën e shpërndarjes së parave për blerjen e votave dhe të dy punonjësve të bashkisë Shkodër të cilët u kapën me 50 qese me ushqime të ndryshme në tentativë për t’i shpërndarë.
“Zef mos i merr në qafë njerëzit duke shpërndarë para për vota se është shumë vonë. Më beso mua, unë e di se ti nuk e bën këtë por mos lejo të tjerët të bëjnë kështu se po kapen shumë. Këta është e bukur se kur kapen thonë “po na vjedhin votat”.
Zef është kryer kjo punë Kristjani do marrë stafetën. Ne nuk vijmë këtu për të thënë këtu hajdeni të gjithë e bëhuni socialist. Ne kur marrim drejtimin e një bashkie, nuk i ndajmë njerëzit për ne nuk ka majtas djathtas por drejt vetëm përpara për të majtët dhe të djathtët”- u shpreh Rama.