Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u takua me Forumin e Gruas në Kavajë, nga ku vuri në dukje transformimin e qytetit nën drejtimin e Redjan Krali, i cili kandidon sërish në 14 Maj.
“Më kujtohet Kavaja kur plehrat ishin mullar. Sa hyje në qytet më shumë shikoje tufa me qen, se njerëz. Qyteti s’kishte ndriçim, ishte si një xhep, ku njerëzit shihnin vetëm tabelat, hyrjen në jug, hyrjen në veri. Kurse sot Kavaja është më e pastër dhe ky është fakt! Është më e ndriçuar dhe ky është fakt! Është më e asfaltuar dhe ky është fakt! Është më e frekuentuar dhe ky është fakt! Ka më shumë biznese dhe ky është fakt! Ka më shumë turistë dhe ky është fakt! Asnjëherë nuk mjafton, por vetëm duke ecur përpara gjërat mund të bëhen më mirë”, tha Veliaj. Veliaj kujtoi se kundërshtarët e tij e braktisën detyrën 4 vite më parë dhe tani kërkojnë sërish votën për të mbushur autobusët për protesta në Tiranë.
“Këta thonë na jepni Kavajën që të rrëzojmë qeverinë dhe Edi Ramën. Si u rrëzonka qeveria nga një Bashki, këtë nuk e di! Në mendjen e tyre Kavaja nuk ka personalitet, Kavaja është vetëm për të mbushur autobusë dhe për t’i çuar për miting në Tiranë. Për ne Kavaja ka personalitet, ka rrënjë, ka kulturë, ka të ardhme, ka investime, kjo është diferenca. Kush po e ndihmon opozitën këtu? Thonë janë lekët e Shkëlzenit, që hodhi 26 njerëz në erë në Gërdec. Saliu ka vrarë me plumba në mish dhe Shkëlzeni për para është gati të hedhë edhe fëmijë në erë. Fëmijët tanë do t’ia besojmë Redit dhe skuadrës tonë, që ndërton çerdhe, kopshte, shkolla, që Kavaja të shkojë përpara dhe të mos kthehet te këto fundërrina të historisë”, shtoi Veliaj. Drejtuesi i PS-së për Tiranën u ndal dhe tek dyshja Berisha-Meta për të cilët tha se nuk shqetësohen për popullin për për hallin e tyre që është non-grata e Amerikës. Nga ana tjetër nuk la pa ironizuar edhe deklaratat e palës kundërshtare për mbështetjen që artistët kanë dhënë për Veliajn.
“Ata thonë na jepni votën që të bëjmë luftë më Amerikën. E keni parë këto ditë me kë bëjnë luftë? Bëjnë luftë me Amerikën. Kanë një muaj që bëjnë luftë me pemët. “Jo, po mbolli Lali kaq pemë, jo po nuk mbolli Lali aq pemë”. Ndërkohë, vetë i kap alergjia të kapin lopatë me dorë. Kanë një vit që zihen me Amerikën dhe kanë një kanë një javë që zihen me Rita Orën. Një parti që zihet me Noizyn dhe Rita Orën,” u shpreh kryebashkiaku.