“Partizani”, një tjetër shkollë ikonike e Tiranës, është drejt përfundimit të rikonstruksionit dhe në qershor do të presë maturantët e saj, në ceremoninë e diplomimit, njësoj si “Sami Frashëri” një vit më parë. Për të gjithë ata që regjistrohen për herë të parë në këtë gjimnaz, godina do të jetë gati në muajin shtator, me hapësira shumë herë më të mëdha, me laboratorë të rinj, palestër dhe klasa të reja mësimi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo shkollë do të jetë një tjetër bizhu për qytetin. “Për ata që menduan se ndërtimi i shkollave ishin muhabete fushate, mund t’ju them se nuk kanë parë gjë akoma! Shkollat do vazhdojnë të ndërtohen, ashtu siç do vazhdojmë të mbjellim pemë. Unë besoj te fushata e përditshme sepse njeriu punon përditë, jo vetëm në 30 ditët e fushatës. I jemi rikthyer punëve të qytetit dhe kjo qshtë një nga punët që kam më për zemër: gjimnazi ‘Partizani’, një shkollë në mes të Tiranës, në zonën e Selvisë, do të jetë një bizhu për qytetin, por sigurisht, edhe një aset i mrekullueshëm për prindërit, për ata që dritën e syrit ia besojnë drejtoreshës, na e besojnë ne, institucioneve dhe ndërtesave që ndërtojmë,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se çdo gjë është transformuar në funksion të nxënësve dhe se në qershor maturantët do të jenë të parët që do e përurojnë shkollën. “Lajmi i mirë është se do të përgatitemi që në qershor të kryejmë diplomimin këtu dhe të sigurohemi që, të paktën diploma e ‘Partizanit’ të përkojë edhe me një ceremoni te shkolla e re ‘Partizani’. Do të ketë shumë pak gjëra që ngjajnë me shkollën e vjetër, ndoshta vetëm ca kujtime të oborrit. Çdo gjë është transformuar totalisht. Më vjen mirë që kemi shtuar disa ambiente edhe për mësuesit, edhe për laboratorët, dhe një super palestër ku ‘Partizani’ do vazhdojë të mbajë traditën e lojërave me dorë, ku ka qenë gjithmonë një nga konkurrentët tanë më të fortë në basketboll dhe volejboll,” tha ai.
Kryebashkiaku ftoi të gjithë prindërit që t’i regjistrojnë gjatë muajve të verës fëmijët në këtë gjimnaz. “Ftesa për të gjithë prindërit është: tani që jemi në fund, do të shfrytëzojmë të gjithë verën për të bërë mobilimin e shkollës, për të gjitha pajisjet higjieno-sanitare dhe ndriçimin led. Kjo do të thotë se garancia për të pasur një shkollë fantastike, si të gjitha shkollat e reja të Tiranës brenda lagjes ose brenda konturit të rrugëve, afër shkollës ‘Partizani’, është 100%. Kemi sot një garanci të një shkolle çka na mundëson t’iu bëjmë një ftesë të gjithë banorëve të vijnë dhe t’i regjistrojnë fëmijët këtu. Nuk ka asnjë arsye pse të dyndemi në shkollat e tjera. Jemi shumë mirënjohës për ‘Shkollën e Kuqe’ dhe të tjerët që na dhanë mundësi akomodimi gjatë kohës së kantierit, por tani kemi shkollën tonë,” vijoi Veliaj.