Lagjja 13, një lagje e re e krijuar në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ishte ndalesa e radhës e kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjatë takimit me banorët e zonës së zhvilluar dhe transformuar vitet e fundit, Veliaj tha se deri pak kohë më parë qytetarët i merrnin shërbimet në Farkë, ndërsa sot çdo shërbim jepet në Njësinë Administrative.
“Kjo zonë nuk ka qenë fare si Njësi Administrative, por një ‘apendisit’ i Farkës. Për të shkuar në Farkë, harxhoje kohë për certifikatën, për një dokument, për të transferuar gjendjen civile dhe praktikisht xhepi ishte bërë më i madh se kostumi. Pra, xhepi, ajo që nisi si një kurorë, ose bishti fundor, ku Farka takohet me Selitën, ishte bërë më e madhe se gjithë ish-komuna Farkë. Gjëja e parë që bëmë e shpallëm Njësi Administrative, lagje më vete, që shërbimet të jepen aty, që të gjitha dokumentet të merren aty, që dera e hapur, se ka tërmet apo pandemi, se ka Pashkë, Bajram, se është ditë, apo natë, se është kohë e mirë, se ka përmbytje, ne të kemi njësi administrative që punon për njerëzit, u shërben njerëzve dhe sot krenohet me punën e jashtëzakonshme të Arditës dhe stafit tonë,” u shpreh Veliaj.
Ai theksoi faktin se kjo është zona ku është rritur më shumë se kudo vlera e pronës: “Kjo është zona ku vlera e pronës është rritur më shumë. Sot prona vlen më shumë. Sot ambientet vlejnë më shumë, sot liqeni vlen më shumë, sot hapësira është më e pastër, çka do të thotë se kur njerëzit duan dhe kur njerëzit dinë, njerëzit munden. Ne deshëm, ne dimë dhe ne mundëm ta kthejmë këtë nga një zonë që kishte degraduar totalisht, në një njësi administrative që sot është bërë model për të 27 njësitë e Tiranës”.
Veliaj veçoi dy prej projekteve më të rëndësishme, atë të Kopshtit Zoologjik, i cili në një vit ka arritur numër rekord vizitorësh, dhe Kopshtin Botanik, i cili do të nisë së shpejti.
“Kemi kapur shifrën e 80 mijë vizitorëve unikë në Kopshtin Zoologjik modern të Tiranës. Kemi liruar të gjitha hapësirat që ishin zënë nga lokalet. Kemi marrë gjithë territorin që dikush tjetër kishte zënë në pjesën fundore. Dikush mund të pyesë, po Kopshti Botanik? Ne jemi sot në Gjykatë të Apelit dhe duhet ta shpjegoj këtë për të gjithë ata qytetarë që pyesin: Prona është e Bashkisë, na ka hedhur Fakulteti në gjyq. Unë e kuptoj, me gishta përpjetë ose me një nga gishtat, por ne s’kemi më kohë për të humbur. Propozimi për Kopshtin Botanik është: Ne do e fitojmë atë gjyq, sepse është tokë e Bashkisë”.
Për sa i përket zvarritjes nëpër gjyqe e bllokimit të projekteve, Veliaj kishte edhe një zotim për mandatin e tretë: “Nëse më pyesni çfarë do bëj ndryshe mandatin tjetër, unë nuk do të pres më me vite e me muaj sa të binden të gjithë, sepse kam kuptuar se çdo gjë ka një limit. Mandatet janë me limit, jeta është me limit, ashtu siç na mësoi tërmeti dhe pandemia, që kaq është jeta. Ndaj, mandatin tjetër fillojmë menjëherë investimet tek Kopshti Botanik. Do të vazhdojmë pa asnjë vonesë hapjen e tregut agroushqimor. Ne duam që të vazhdojë Unaza e Madhe. Sot kemi mbërritur deri në Farkë të Madhe, loti tjetër është nga Kodra e Priftit në Shesh Tufinë. Nga Tufina ne kalojmë në Paskuqan, te 5 Maji, dhe nga Paskuqani takohemi me Shqiponjën,” u shpreh ai.