Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës Erion Veliaj e cilësoi mbresëlënës rezultatin e arritur nga PS në zgjedhjet e 14 majit. Në një intervistë për Euronews, Veliaj tha se Meta dhe Berisha nuk kanë lidhje me realitetin pasi jetojnë fizikisht në vilat e tyre luksoze në Gjirin e Lalzit.
“Unë e thosha gjithmonë në fushatë. Këta janë dy njerëz që jetojnë fizikisht në Gjirin e Lalzit, që nuk kanë lidhje, pra janë në vilat e pishinat e tyre. Hipin në një makinë luksoze, vijnë në Tiranë për të mbjellë helmin dhe debat dhe nuk kanë lidhje me realitetin. Ata nuk i dinë të gjithë rrugicat ku është punuar, ata sigurisht nuk i besonin 40 shkollat sepse nuk kanë lidhje me realitetin. Ndërkohë zgjedhjet janë për njerëzit që jetojnë për realitetin, njerëzit që i çojnë fëmijët në çerdhe, kopshte, shkolla, që i çojnë tek Pazari i Ri. tek Liqeni, që i çojnë tek kopshti zoologjik. Kisha një besim që njerëzit e vërtetë, njerëzit që jetojnë në këtë qytet do jenë ata që do thonë fjalën e fundit”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se PS në këto zgjedhje ka konsoliduar votën e saj, ndërkohë që edhe vetë demokratët refuzuan të bëhen palë me Berishën kundër SHBA-ve. “Unë besoj që këtu shembullin më të madh Partia Socialiste e mori në numrat e vet, ka konsoliduar votën e vet. Ajo që ndodhi dhe që ishte mbresëlënëse është se sa demokratë nuk pranuan në një palë votime që u përkthyen nga partia e tyre si një përgjigje ndaj SHBA për faktin që Saliu ka një hall dhe donte që të provonte që halli i tij është edhe halli i të tjerëve. Qartazi një pjesë e demokratëve thanë : Jo ky është halli yt personal, ti personalisht je non grata bashkëshortja, dy fëmijët e tu, pra jeni një familje non grata që mund të përfshini familjet tona në këtë sherr.
Shumë demokratë të cilët e panë këtë si një ftesë në krushqi apo si dasmorë në dasmën e Saliut me Ilirin refuzuan të ishin pjesë e kësaj dasme dhe refuzuan që të pranonin të nënshtroheshin. Sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës kemi kapur një tjetër rekord, jemi deri 34 mandate, në këtë fazë, pra jemi rritur edhe pak ndërkohë që PD është reduktuar në 15 mandate. Kjo do të thotë që nga 15 mandate vetëm 2 janë realisht të PD, pra të djathtë, të gjithë të tjerët janë të Ilir Metës. Mirë plaga e humbjes së kryetarit, por tani edhe kripa mbi plagë që i hidhet për votat e Ilir Metës në Këshill”, shtoi më tej Veliaj.