Instalacionet e artistit italian Maurizio Cattelan kanë qenë vazhdimisht provokative, por së fundmi një prej tyre — banania e ngjitur në mur me izolant — duket se ra pre e një prej instinkteve bazë; një student në Korenë e Jugut e hëngri sepse ishte i uritur.
Instalacioni i artistit është quajtur ‘Comedian’, dhe është një banane (e cila zëvendësohet shpesh) e ngjitur në mur me izolant që supozohet se evokon parodinë sociale të Charlie Chaplin, apo dhe “statusin e frytit si emblemë e tregtisë globale”.
Por për studentin Noh Huyn-soo objekti në mur ishte vetëm një kujtesë se nuk e kishte ngrënë mëngjesin e plotë, kështu që gjatë vizitës së tij në muzeumin e artit Leeum në Seul, ai e mori dhe e hëngri frytin, megjithë thirrjet e alarmuara të një punonjëseje të muzeumit. Për gati 1 minutë Noh e hëngri të gjithë babanen dhe më pas rivendosi lëkurën në vendin e caktuar në mur.
Ai u shfajësua më pas se ishte i uritur, sipas rrjetit publik korean KBS, i cili transmetonte pamjet e regjistruara nga një mik i shkelësit.
Ngrënia e bananes së ekzibicionit ka ndodhur në formë proteste apo përçmimi edhe në shfaqje të tjera të instalacionit.
Gjithsesi brenda 30 minutave punonjësit e muzeumit instaluan një tjetër babanë për të risjellë vizionin “artistik” të Cattelan.
Comedian është pjesë e një ekzibicioni madhor në muzeumin Leeum që do të vijojë deri në korrik.