Familjarët e Habib Rexhës, 31 vjeçarit që vrau me një plumb në kokë Arjan Gosën të dielën në Kavajë, kanë kërkuar mbrojtje nga policia.
Ata janë shprehur të frikësuar se familja Gosa mund të hakmerret për vrasjen e Arjan Gosës.
Si ndodhi vrasja e Arian Gosës?
Habib Rexha vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë. Ai ka vepruar i vetëm dhe pas vrasjes ka arritur që të largohet.
Shkak i vrasjes është hakmarrja, pasi Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku viktimë mbeti edhe Edmond Gosa.
Autori veproi i vetëm, e duket se është përpjekur që shenjën e hakmarrjes t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë fisit Gosa. Ashtu sikurse Arjani u ekzekutua në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte pasur të birin përdore kur Edmond Gosa, e qëlloi me armë dhe e la të vdekur.