Pas rreth 5 orësh debat, Kuvendi votoi dje dyfishimin e rrogave të deputetëve dhe rritjen me masën 80% të rrogave të ministrave, si pjesë e paketës për rritjen e pagave të të gjithë administratës shtetërore.

Projektligji i debatueshëm për shkak të rritjes së menjëhershme të rrogave që do të miratonin deputetët për veten e tyre, ishte planifikuar të votohej para zgjedhjeve, por u shty për shkak se në draftin fillestar të ardhur nga qeveria, ligjvënësit nuk përfitonin.

Nga tabulatet e votimit të djeshëm rezulton se jo pak por 24 deputetë të Partisë Demokratike, kanë bashkuar votën me Partinë Socialiste për rritjen e pagave të tyre.

Shumica e tyre janë pjesë e grupit “Alibeaj”, por pro kanë votuar edhe Agron Gjekmarkaj, Ervin Salianji e Xhelal Mziu të cilët më parë nuk janë pozicionuar në asnjë grupim.

Megjithëse ishin pjesë e seancës në fillim të saj, deputetët që mbështesin ish kryeministrin Berisha kanë munguar gjatë votimit dhe në tabulat rezultojnë si “jo të pranishëm”. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe deputetët e Partisë së Lirisë.

Tre deputetë, Dashnor Sula, Bujar Leskaj dhe Petrit Doda kanë votuar kundër, ndërsa Flutura Açka dhe Elda Hoti kanë qenë në sallë në momentin e votimit, por nuk kanë votuar.

Ashtu siç paralajmëroi, Edi Rama e kishte aktivizuar kartën e tij në pajisjen elektronike ku votohet, por nuk ishte në sallë në momentin e votimit.

Deputetët e opozitës PRO:

Ferdinand Xhaferraj

Ramadan Likaj

Gazmend Bardhi

Bledion Nallbati

Agron Gjekmarkaj

Xhelal Mziu

Merita Bakiu

Emilja Koliqi

Mesila Doda

Sajmir Koreshi

Kreshnik Collaku

Ervin Salianji

Eralda Bano

Seladin Jakupllari

Shpëtim Idrizi

Andia Ulliri

Jorida Tabaku

Lefter Gështenja

Arbi Agalliu

Helidon Bushati

Zheni Gjergji

Erjola Pampuri

Orjela Nebiaj

Dhurata Tyli

Të pranishëm që nuk votuan

Flutura Açka

Elda Hoti

Votuan kundër

Dashnor Sula

Bujar Leskaj

Petrit Doda