Trafikantët e drogës tashme kanë gjetur një formë tjetër, përtej serave të kanabisit.

Si rrallë herë është zbuluar në qytetin e Vlorës një ambient ku ishte mbjellë opium. Më konkretisht mësohet se në fshatin Drithas, në një ambient të hapur, në tokën Tolem Lamaj 54 vjeç ishin mbjellë 70 bimë opium.

Dyshimet janë se Lamaj ishte kultivuesi i tyre për pasojë është vënë në prangat e policisë.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Opium”. Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, zbulohet një ambient i hapur ku ishin mbjellë 70 bimë të dyshuara opium. Vihet në pranga 54-vjeçari, i dyshuar si kultivues i tyre.

Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimim dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacionet e marra falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Opium”. Gjatë këtij operacioni, në fshatin Drithas, në një ambient të hapur, në tokën e shtetasit T. L., u konstatuan të kultivuara 70 bimë të dyshuara narkotike opium, të cilat pas veprimeve procedurale dhe hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. L., 54 vjeç, banues në fshatin Drithas, i dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike opium”, njofton policia.