Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur vizitën në Romë dhe Vatikan.Vizita e Zelenskyt vjen pak kohë pasi Rusia kreu një sulm të madh me dron në Kiev dhe granatoi qytetet në qendër dhe jug të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Po ashtu, vizita në Romë vjen në kohën e raportimeve se Ukraina ka bërë përparim në Bahmut, qytet në lindje të shtetit, ku luftimet e ashpra po vazhdojnë për muaj të tërë.

Në Romë, Zelensky do të takohet me presidentin italian, Sergio Mattarella, kryeministren Georgia Meloni dhe Papa Françeskun.

Papa Françesku muajin e kaluar u tha gazetarëve se Vatikani është i përfshirë në mision të paqes, me synim për t’i dhënë fund konfliktit që u shkaktua nga pushtimi rus i Ukrainës.

Vizita e presidentit ukrainas në Romë vjen në ditën e njëjtë që Gjermania njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh. Kjo është paketa më e madhe që Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës, që kur ka nisur pushtimi.